Southampton-Tottenham përfundoi në barazim 1-1. Vendasit luajtën me dhjetë lojtarë që në minutën e 39-të, por ekipi i Antonio Contes nuk ia doli të merrte pikët maksimale në këtë transfertë ditën e martë.
Gjithsesi, Tottenham vazhdon të jetë i pathyeshëm në kampionat me italianin në pankinë. Conte mori drejtimin e ekipit londinez më 2 nëntor dhe deri tani numëron 4 fitore dhe 3 barazime në Premier League.
Një nisje fantastike për 52-vjeçarin nga Lecce, i cili ka vendosur një rekord në regjistrimin e shtatë rezultateve pozitive radhazi. Askush tjetër nuk ka bërë më mirë se Conte në debutimin si trajner i Tottenham.
Spurs kanë rilindur me trajnerin e ri dhe për momentin renditen në vend të gjashtë me 30 pikë. Arsenali i vendit të katërt është pesë pikë larg, por djemtë e Contes kanë luajtur dy ndeshje më pak.