Nga Massimo Gaggi*
Për muaj me radhë tituj filmash si “2020, Arratisje nga New York” janë likuiduar si parashikimet e zakonshme katastrofike që në çdo krizë paralajmërojnë fundin e “kryeqytetit të botës”, por që gjithnjë janë përgënjeshtruar më pas nga faktet.
Qytetet sjellin ndotje, trafik, dhe shumë probleme të tjera, por janë gjithashtu edhe përqendrime të pazëvendësueshme të shërbimeve të çdo lloji – shëndetësi, arsim, ushqim, sport, drejtësi, kulturë – dhe vende argëtimi dhe socializimi që tërheqin talentet më të mirë. Dhe New York prej kohësh jep më të mirën që Amerika mund të ofrojë. Në mars, kur u vendos karantina, eksodi ishte i limituar për një élitë të pasurish. Kur në qershor qyteti vazhdonte të ishte përgjumësh, pavarësisht hapjes së restoranteve, u tha se kthesa e vërtetë do të vinte në shtator, me shkollat dhe zyrat sërish të mbushura.
Por tani që pandemia po krijon një klimë rrethimi të përhershëm, eksodi, sado i pjesshëm, por bëhet strukturor. Ndërmarrjet transferuese kanë nisur të kenë vështirësi në përballimin e kërkesës së madhe të familjeve që kanë vendosur të lënë Mollën e Madhe për t’u transferuar në shtëpi më të mëdha në periferi ose në qytete të tjera.
Ndërkohë në New York, pas pasurive të paluajtshme të biznesit, ka rënë edhe tregu i ndërtesave rezidenciale. Çmimet e blerjeve po bien prej kohësh, por tani për herë të parë është në rënie edhe tregu i qerave. Bie kërkesa, por bie edhe disponueshmëria ekonomike e rezidentëve: një e katërta e qiramarrësve në New York nuk e paguan qeranë prej katër muajsh apo më shumë. Ndërkohë është boom jashtë qytetit, nga Long Island në luginën e Hudson, por edhe në dy qytetet fqinje: Connecticut dhe New Jersey.
Me mijëra pasiguritë që peshojnë në rikthimin në normalitet të gjithë asaj që e bën të pëlqyeshme jetesën në New York, kush mund të punojë pa shkuar në zyrë preferon të kërkojë shtëpi më të mëdha me hapësira për zyrë, aktivitete për fëmijët, një palestër e vogël e ndoshta një kopsht me pishinë, në zona jeshile me impiante sportive, shkolla, pista çiklizmi dhe vende të lidhura mirë me metropolet. Qytete ku ndoshta shkohet njëherë ose dy herë javë për një vizitë mjekësore, një teatër ose darkë me miqtë, duke shpresuar se restoranti është rihapur, gati gjysma e shërbimeve në qytet është mbyllur përgjithmonë. Ndërkohë, zinxhirët e mëdhenj, të tregtisë dhe restoranteve, kanë nisur ta lënë New York-un: taksa të larta dhe pak biznes. Edhe disa korporata të mëdha kanë nisur të mendojnë ti transferojnë diku tjetër zyrat e tyre me mijëra punonjës.
Nëse nuk shpik shpejt një tjetër model zhvillimi, New York-u rrezikon efektin Detroit: një metropol gjigantesk me një zemër gjithnjë e më pak të banuar, me zona të braktisura në duart e një bashkie të varfëruar nga eksodi i kompanive dhe i kontribuuesve të pasur.
*Corriere della Sera/ Përgatiti American Eye