Sport Efekti koronavirus/ Bayern dhe Dortmund reduktojnë pagat

Efekti koronavirus/ Bayern dhe Dortmund reduktojnë pagat

Pandemia e koronavirusit ka prekur jo vetëm shëndetin e popullsisë në mbarë botën, por edhe ekonominë. Në botën sportive, evenimentet janë pezulluar apo shtyrë dhe Bundesliga Gjermane nuk bën përjashtim.

Por askush nuk e parashikoi se skuadrave do t’u duhet të qëndrojnë pushim për një kohë kaq të gjatë, një pushim që do të ndikojë në financat e klubeve. Këto të fundit do të duhen që të ulin sa më shumë shpenzimet dhe zërin më të madh në këtë pjesë të bilancit financiar e zënë pikërisht pagat e futbollistëve të ekipeve të para.

Një reduktim i këtyre pagave do të ndihmojë jo pak klubet që të zbusin humbjet financiare dhe një nismë e tillë duket se është ndërmarrë nga Bayerni i Mynihut dhe Borussia Dormund. Sipas të përditshmes gjermane ‘Bild’, drejtuesit e të dy klubeve ditën e hënë biseduan me skuadrat respektive për t’u kërkuar që të pranojnë uljen e pagës së tyre, ndërkohë që vijon puna për të vënë nën kontroll pandeminë.

Gjithnjë sipas ‘Bild’, drejtuesit e Bayernit dhe të Dortmundit kanë kërkuar një reduktim me 20% të pagave të futbollistëve të skuadrave respektive, për të krijuar një rezervë relativisht të mirë për të përballuar humbjet në bilanc që pritet të rezultojnë në këtë periudhë krize. E përditshmja e njohur gjermane thekson se futbollistët, të ndërgjegjshëm për situatën e rëndë të krijuar kanë pranuar ndërmarrjen e kësaj mase duke i shndërruar Bayernin dhe Dortmundin në një shembull për t’u ndjekur për pjesën tjetër të skuadrave të Bundesligës.