Arkeologët egjiptianë po hetojnë mumien e një kafshe të çuditshme, deklaroi dje Ministria e Antikiteteve.
“Do të shpallim detajet e zbulimit të mumies së një kafshe të çuditshme, në dukje një mace e madhe, ose ka të ngjarë të jetë një luan apo luaneshë”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se njoftimi do të bëhet pasi të jenë kryer të gjitha analizat e nevojshme.
Në Egjiptin e lashtë, kafshët shtëpiake të mumifikuara zakonisht varroseshin me pronarët e tyre. Ato u përdorën si oferta për perënditë ose egjiptianët e lashtë i donin kafshët në varre, me shpresën se do t’i merrnin në jetën e përtejme.
Muajt e fundit Egjipti ka njoftuar një seri zbulimesh të lashta, që mund të ndihmojnë në ringjalljen e industrisë së dobësuar të turizmit, një burim kryesor ky i të ardhurave kombëtare.