Zyrtarët e BE-së dhe ministrat e Financave të vendeve anëtare u shprehën optimistë të premten mbi perspektivën e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, por thanë se Evropa duhet të punojë më shumë për të shmangur dëmet ekonomike afatgjata dhe për të mos qëndruar pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Teksa vaksinimi kundër COVID po përshpejtohet, masat kufizuese po lehtësohen edhe aktiviteti ekonomik po kap ritmin. Ndaj, pas këtij recesioni teknik që kishim në tremujorin e fundit të 2020-s dhe në të parin e këtij viti, po shohim të dhëna inkurajuese dhe presim një rritje në gjysmën e dytë të vitit”, u shpreh Paolo Gentiloni, komisioner i KE për Ekonominë.
Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde mbështeti fjalët e Gentiloni-t, por paralajmëroi se kriza shëndetësore mund të lërë “plagë të thella” dhe se gjatë procesit të rimëkëmbjes mes vendeve anëtare do të ketë përplasje.
“Edhe ne besojmë se do të kthehemi në nivelet e para pandemisë në vitin 2022, por besojmë gjithashtu se kjo rimëkëmbje mbetet e pasigurt. Kriza do të lërë plagë në aspektin sektorial, në shtete të caktuara, ndërsa do të shohim edhe përplasje mes vendeve anëtare gjatë këtij procesi”, tha Christine Lagarde, presidente e BQE-së.
Por parashikimet tregojnë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të rimëkëmbjen më shpejt dhe se zonës Euro do t’i duhet të nxisë potencialin e rritjes për të qenë mes aktorëve kryesorë, deklaroi nga ana tjetër ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.
“Çfarë do të bëjmë? Do të luajmë në Ligën e Parë, apo do të mbetemi pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara? Kemi nevojë për investime të reja, për më shumë aktivitet dhe një teknologji më të zhvilluar”, theksoi Bruno Le Maire, ministër i Financave, Francë.
Komisioni Europian do të parashtrojë në muajt e ardhshëm planet për reformat dhe investimet të përgatitura nga qeveritë e Unionit, që synojnë kthimin e ekonomive të tyre në më të gjelbra dhe më të digjitalizuara.