Kina dhe lufta e saj, gjithnjë e më e ashpër në tregjet globale?
Nëse Donald Trump do të kishte miratuar tarifat ndëshkuese për të gjitha eksportet kineze në Amerikë, ashtu siç premtoi më parë, padyshim që do të kishte filluar një luftë tregtare, shkruan The Economist. Por për fat të mirë, Presidenti amerikan hezitoi në miratimin e tyre, pjesërisht për shkak se dëshiron të ketë ndihmën e Kinës për të penguar ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut. Por kjo histori nuk mbaron me kaq. Tensionet mbi industrinë e Kinës mund të shndërrohen në një kërcënim për arkitekturën e ekonomisë globale. Gjatë javes së kaluar, përfaqësuesit e tregtisë amerikane iu referuan Kinës, duke e etiketuar atë si një kërcënim “të pashembullt” nga i cili nuk mund të shpëtohet nëpërmjet rregullave ekzistuese tregtare.
Bashkimi Europian, i shqetësuar nga moria e madhe e blerjeve kineze, po harton rregulla më të rrepta për investimet e huaja. Nga ana tjetër, strategjia e Kinës për modernizimin e ekonomisë së saj po e rrit edhe më shumë frikën ndaj këtij kërcënimi. Në zemër të këtyre tensioneve qëndron një fakt i rëndësishëm: kompanitë në të gjithë botën po përballen gjithnjë e më shumë me konkurrencën e ashpër të rivalëve kinezë. Kina nuk është shteti i parë që po shkon drejt industrializimit, por asnjë shtet tjetër, deri më tani, nuk ka bërë një kapërcim kaq të shpejtë dhe në një shkallë të tillë si ajo.
Pak më shumë se një dekadë më parë, qytetet kineze patën një bum në prodhimin e zinxhirëve, çorapeve dhe çakmakëve. Ndërsa sot, ky vend është në kufirin global të teknologjisë së fundit në çdo aspekt, që nga pagesat e celularëve e deri tek makinat pa drejtues. Edhe pse arritjet e Kinës po shkaktojnë një frikë në nivele globale, ekziston edhe një shqetësim tjetër i madh, ai që bota do të dominohet nga një ekonomi që nuk po bën lojë të pastër. Bizneset ndihen të kërcënuara. Qeveritë që janë përballur me Brexit dhe zgjedhjen e z. Trump, shqetësohen për efektet e humbjeve të vendeve të punës dhe ngushtimin e lidershipit teknologjik. Megjithatë, nëse rezultati është i mirë, të gjithë duhet të mendojnë qartazi për natyrën e vërtetë të sfidës që po i shpall Kina.
Në tre dimensione
Pa dyshim, që Kina ka ndjekur një strategji të qartë, e cila e shpjegon më së miri këtë rritje. Ajo e ka mbajtur monedhën vendase në nivele të ulëta për vite më radhë, në mënyrë që të ndikonte në rritjen e eksporteve. Kina ka financuar gjigantët e saj shtetërorë nëpërmjet dhënies së kredive të lira, ndërkohë që nga ana tjetër, ajo mbështet edhe hacker-at kinezë në vjedhjen e informacioneve sekrete. Megjithatë, përshkrimet e Kinës si një prej shteteve “monstër” komuniste dhe aspak demokratike, e cila vetëm vjedh dhe mashtron për të ecur përpara, tashmë janë një shprehje e vjetër dhe aspak e vërtetë. Inovacioni në vend është në kulmin e tij.
Pjesa më e madhe e inovatorëve janë kryesisht privatë dhe jo një prej kokave të “kuçedrës Kinë”. Për të ndarë imagjinatën nga realiteti, duhet ta shikojmë konkurrencën kineze në tre dimensione: e paligjshme, intensive dhe e padrejtë. Secili kërkon nga një përgjigje më vete. Së pari, le të merremi me paligjshmërinë. Shembulli më i mirë është vjedhja e pronësisë intelektuale, e cila mbush titujt kryesorë të gazetave, ku mund të veçojmë akuzat e vitit 2014 kundër pesë oficerëve ushtarakë kinezë për sulmet në firmat amerikane të energjisë bërthamore, diellore dhe të metaleve. Lajmi i mirë në këtë drejtim është se numri i krimeve të tilla po zvogëlohet.
Marrëveshja e nënshkruar me Amerikën në vitin 2015 çoi në një rënie të theksuar të kompanive kineze të huaja dhe në të njëjtën kohë, edhe vetë firmat kineze po kërkojnë një mbrojtje më të mirë të pronësisë intelektuale në shtetin e tyre. Së dyti vjen konkurrenca intensive, por e ligjshme, e cila është edhe ajo më e rëndësishmja. Firmat kineze e kanë vërtetuar edhe më parë se mund të prodhojnë produkte të mira kundrejt një kostoje më të ulët.
Çmimet e konsumit për televizionet, të përshtatura me cilësinë, ranë me më shumë se 90% në 15 vjet, pasi Kina u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Pjesa e Kinës në eksportet globale është rritur në 14%, që është niveli më i lartë që ndonjë vend mund të ketë arritur në botë pas atij të Amerikës në vitin 1968. Ky nivel mund të shënojë rënie, nëse Kina do të humbasë kontrollin e industrive me vlera të ulëta siç është p.sh., ajo e tekstileve. Por ajo po fiton një reputacion të ri në fushën e teknologjisë së përparuar. Industria e teknologjisë së Kinës ka rezerva të mëdha në informacionin e gjeneruar nga qindra miliona njerëz të saj në internet, të pambrojtur nga rregullat e privatësisë.
Edhe nëse prodhoni makina në Gjermani, gjysmëpërçues në Amerikë apo robotë në Japoni, gjithsesi mundësitë më të mëdha janë që në të ardhmen disa nga rivalët tuaj më të ashpër do të jenë me siguri nga Kina. E fundit, dhe më e komplikuara, është konkurrenca e padrejtë: praktika e mprehtë që nuk ecën sipas rregullave globale. Qeveria kërkon që firmat t’ua japin teknologjinë me të cilën ato operojnë si kostoja e vetme e pranimit në tregun e madh të Kinës. Firmat e huaja janë synuar në rastet më të mëdha anti-monopole të Kinës. Qeveria kufizon qasjen në sektorët fitimprurës, ndërkohë që financon sulme ndaj po të njëjtave industri jashtë vendit. Një sjellje e tillë është e rrezikshme pikërisht sepse rregullat e sotme nuk ofrojnë asnjë dëmshpërblim.
Jo vetëm të nervozoheni, po ju keni të drejtë edhe të “tërboheni”
Renditja e konkurrencës kineze në këto kategori ndihmon shumë në dhënien e përgjigjes. Qeveritë duhet të ndjekin penalisht dhe të kërkojnë dëmshpërblim, qoftë përmes gjykatave apo OBT-së, në lidhje me këtë paligjshmëri të ashpër, sepse vetëm në këtë mënyrë firmat mund të mbrojnë më mirë veten nga vjedhësit kibernetikë, qoftë nga Kina ashtu edhe vende të tjera. Megjithëse është politikisht e vështirë, përgjigjja më e mirë për konkurrencën e ashpër është që ta mirëpresim atë. Konsumatorët do të përfitojnë nga një kosto më e ulët dhe shumë risi. Përpjekjet e gabuara për të ndalur valën, jo vetëm që do të humbnin këto përfitime të mundshme, por mund të hedhin në erë sistemin botëror të tregtisë, me rezultate katastrofike.
Në vend që të përpiqen të ndalojnë humbjen e vendeve të punës, qeveritë duhet të sigurojnë trajnime të reja dhe një rrjet të sigurt kibernetik. Si kompanitë ashtu edhe qeveritë duhet të shpenzojnë më shumë në fusha të tjera, si arsimi apo kërkimi. Gjashtë vjet më parë, Barak Obama tha se Amerika u përball me një “moment Sputnik” në rritjen e Kinës.
Që atëherë, shumë pak i është kushtuar fushës së trajnimeve të reja dhe infrastrukturës. Kategoria më e vështirë është konkurrenca e padrejtë, por jo e paligjshme. Një qasje është inkurajimi që Kina të sillet më mirë duke vepruar kolektivisht. Amerika, Europa dhe vendet e mëdha aziatike mund të botonin së bashku informacione rreth dëmeve ekonomike nga politikat e Kinës, në të njëjtën mënyrë siç vepronin duke ndarë informacione të detajuara mbi tejkalimin e industrisë së çelikut dhe duke i dhënë Kinës mundësinë për të ulur suficitin saj.
Ata duhet të kërkojnë reciprocitet, në mënyrë që Kina t’u japë kompanive të huaja të njëjtin akses që firmat e veta gëzojnë në tregjet e tyre. Qeveritë duhet të rishikojnë politikat për të shqyrtuar investimet nga Kina në mënyrë që të bllokojnë kërcënimet e vërteta ndaj sigurisë kombëtare. Dhe ata gjithashtu duhet të kërkojnë që investitorët me mbështetjen e shtetit, ta raportojnë këtë në mënyrë të plotë dhe të dënojnë ata që fshehin identitetin e vërtetë.
Pjesa më e madhe e përgjegjësisë për vendosjen e kësaj të drejte bie mbi Kinën. Por gjëja e parë që ajo do të thotë është se pse duhet ta kufizojë veten. Ajo mund të pyesë pse duhet të mbajë veten. Në fund të fundit, Gjermania dhe Amerika e shekullit të 19 u rritën pas subvencioneve dhe tarifave të ndryshme ndaj eksporteve. Megjithatë, duke vepruar aq mirë jashtë ekosistemit komercial global, Kina duhet të pranojë se është shndërruar në një nga kujdestarët e saj. Nëse do të abuzoni me të si ilegalisht apo duke e mbingarkuar, do ta shihni që në fund ai do të thyhet.