Rënie e ndjeshme e bursës së Milanos, panaire tregtare të anuluara, turizëm i kërcënuar. Epidemia e koronavirusit të ri po godet fuqishëm Italinë Veriore, mushkërinë e ekonomisë së tretë të eurozonës duke kërcënuar rritjen e saj ekonomike, tashmë të rraskapitur.
Pas një fundjave që pati shpërthime rastesh (219 të konfirmuara të hënën dhe pesë viktima), autoritetet njoftuan masa ekstreme në Veneto dhe Lombardi, mbyllje shkollash, muzesh, anulim takimesh sportive dhe kulturore të tilla si Karnavalet e Venecias, dhe në Lombardi mbyllje baresh dhe klubesh nate, ndërkohë që restorantet do të qëndrojnë të hapura.
”Epidemia dhe masat e marra kanë një ndikim shumë të fortë te shërbimet si dyqane, shfaqje, turizëm, hotele, restorante dhe bare, të cilat janë mbyllura në mbrëmje, në kohën kur ato punojnë më shumë”, thotë Luca Paolazzi, ekspert në institutin italian REF.
“Megjithatë, duke qenë se këto shërbime ishin aktivitetet të cilat mundësuan që ekonomia italiane të mbetej e mirë, ka shumë të ngjarë që ne do të kemi një rënie të PBB-së italiane në tremujorin e parë si edhe në tremujorin e dytë 2020”, shtoi ai.
Situata tashmë nuk duket shumë e mirë. Të dobësuar nga ngadalësimi i ekonomisë globale dhe paqëndrueshmëria e fortë e brendshme politike, gadishulli regjistroi një rritje me vetëm 0,2% vitin e kaluar, madje pati dhe një rënie të PBB-së së saj në fund të vitit, gjë që e bëri atë vendin me zhvillimin më të dobët ekonomik në Bashkimin Europian.
Këtë vit, qeveria priste një rritje të PBB-së me 0,6% dhe Komisioni Europian me 0,4%, por kjo ishte para koronavirusit.
Ngritja e alarmit
“Veneto dhe Lombardia përfaqësojnë rreth një të katërtën ose 30% të PBB-së italiane dhe janë një motor i aktivitetit prodhues dhe ajo që po ndodh në këto rajone do të ketë një ndikim të fortë”, thekson Luca Paolazzi.
Duke konfirmuar shqetësimin e investitorëve, bursa e Milanos ra të hënën duke humbur 5,43%. Ndër vlerat më të prekura, janë ato të luksit, të tilla si Salvatore Ferragamo (-8,9%) ose industrisë (CNH Industrial, Brembo).
Java e Modës në Milano u shënua me një rënie prej 50% të numrit të blerësve aziatikë dhe mbajtjes me sallën bosh, si një masë paraprake shëndetësore, të dy sfilatave, përfshirë edhe atë të Giorgio Armanit.
Disa panaire të mëdha tregtare milaneze që priteshin të fillonin këtë javë janë anuluar, duke përfshirë Myplant & Garden dhe Mido, ngjarja më e madhe ndërkombëtare e syzeve, pasi Italia është prodhuesi kryesor në botë i syzeve optike dhe atyre të diellit.
Vëmendja tani përqendrohet te panairi i mobilieve dhe dizajnit, i planifikuar të mbahet nga data 21 deri më 26 prill.
Shoqata e sektorit të kongreseve dhe e panaireve, Federcongressi & eventi, e vlerësoi me më shumë se 1,5 miliardë euro humbjen në këtë sektor në Lombardi, Veneto dhe Emilia-Romanja dhe kërkoi zbatimin e masave dhe ndihmave fiskale për të qetësuar tronditjen.
“Në mes të stuhisë”
Hotelierët janë gjithashtu të shqetësuar.
“Situata është shqetësuese. Përveç problemit të panaireve, anulimet kanë filluar të vijnë nga kompani që shtyjnë udhëtimet e punës”, tha presidenti i shoqatës së hotelierëve ”Federalberghi” në Milano, Maurizio Naro.
“Ne jemi në mes të stuhisë dhe dëmtimi i imazhit tashmë është kthyer në dëm ekonomik”, shprehet i shqetësuar presidenti kombëtar i ”Federalberghi”-it, Bernabò Bocca.
Milano ka pasur një bum turistik që nga Panairi Botëror në 2015 falë javëve të modës, të dizajnit, katedrales së Duomo-s apo jetës së natës.
Nga 4,2 milionë vizitorë në 2011, frekuentimi u rrit në 6,8 milionë në 2018, nga të cilët rreth 65% ishin të huaj.
Por, me mbylljen e Duomo-s dhe muzeve të tjera si dhe bareve të natës, çfarë do të bëjnë turistët?
“Ne do të përshtatemi, do të shikojmë se çfarë mund të bëjmë gjithsesi. Kjo është jeta…”, thotë filozofja belge, Sophia Lomonaco, e cila sapo mbërriti me vajzën e saj, Maeva për një qëndrim katërditor për të festuar ditëlindjen e saj të 18-të.