Të hënën, vlera e rublës ruse shënoi rënien më të madhe, për shkak të sanksioneve të ashpra që Perëndimi vendosi gjatë fundjavës. Sanksionet përfshinin ngrirjen e aseteve valutore të Rusisë dhe përjashtimin e bankave ruse nga SWIFT.
Ndërkohë, dollari amerikan u rrit deri në 40% kundrejt rublës. Kjo pritet të jetë një nga rëniet më të mëdha në historinë moderne të monedhës ruse, e ngjashme me krizën financiare të vendit në vitin 1998.
Mëngjesin e sotëm, banka qendrore ruse rriti normën e interesit nga 9.5% në 20% në një përpjekje për të frenuar rënien e rublës dhe ministria e financave e vendit urdhëroi kompanitë të konvertonin 80% të të ardhurave të tyre në rubla.
Rënia e rublës tregon se sa e izoluar është bërë tashmë qeveria ruse. Përjashtimi nga tregjet financiare ndërkombëtare mund t’i shkaktojë dëm kolosal ekonomisë. Një monedhë në rënie prek të gjitha importet, nga makinat tek produktet mjekësore.
Rënia e rublës do të reduktojë më tej cilësinë e jetesës për klasën e mesme ruse dhe do të dëmtojë çdo kompani që duhet të paguajë për mallrat dhe shërbimet jashtë shtetit. Banka qendrore e vendit ka urdhëruar institucionet financiare të refuzojnë kërkesat e klientëve të huaj, një lëvizje që mund të jetë fillimi i kontrolleve për të parandaluar daljet masive të kapitalit. Çdo ndalim për investitorët e huaj për të përdorur paratë e tyre mund të prishë atë pak që ka mbetur nga reputacioni i vendit si një destinacion investimi.
Gjatë fundjavës, qytetarët rusë kanë zënë radhën jashtë bankave për të tërhequr paratë e tyre. Çmimi i naftës ka shënuar rritje, për shkak të shqetësimeve për ndërprerje të furnizimit, ndoshta për shkak të embargove. Çmimi u rrit 100 dollarë për fuçi, 5% më shumë në krahasim me nivelet e tyre në fund të javës së kaluar.
Si një eksportues i madh i naftës dhe gazit, Rusia zakonisht do të përfitonte nga çmimet më të larta të energjisë. Por rënia e rublës sugjeron se të ardhurat shtesë nga shitja e mallrave pritet të zbehen në krahasim me dëmin e shkaktuar nga sanksionet.
Por ndërsa investitorët përpiqen të punojnë për të përballuar efektet negative të sanksioneve, situata mund të përkeqësohet edhe më shumë. Kërcënimi për vendosjen e sanksioneve më të rënda është bërë gjithnjë e më real që kur tregjet financiare pësuan rënie gjatë fundjavës.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha në një konferencë për mediat se Rusia do të arrijë të përballojë sanksionet e vendosura nga shtetet perëndimore.
“Sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë janë të rënda, por vend ynë ka potencialin e nevojshëm që të rikuperojë dëmin e shkaktuar”, tha Peskov. Ai shtoi se Putin do të punojë sot për zgjidhjen e problemit ekonomik, pasi ka organizuar një takim me ministrin e Financave dhe guvernatorin e Bankës Qendrore.
SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar përjashtuan Rusinë nga tregjet financiare perëndimore. Si rezultat, rubla ruse ka humbur vlerën e saj në shifra rekord krahasuar me monedhat perëndimore, ndërsa Banka Qendrore rriti normën e interesit nga 9,5% në 20%.