Politika “Eksperiencë me rusët ka ai”, Berisha ironizon caktimin e Bashës si raporter...

“Eksperiencë me rusët ka ai”, Berisha ironizon caktimin e Bashës si raporter nga Këshilli i Europës

Në përfundim të mbledhjes me grupin parlamentar të mbajtur ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit, Sali Berisha u shpreh se diskutimet e kësaj mbledhjeje u përqendruan në agjendën e ditës së nesërme të parlamentit. Berisha komentoi me ironi edhe caktimin e Lulzim Bashës raporter për konfiskimin e aseteve ruse, nga Këshilli i Europës. “Eksperiencë me rusët ka ai, kaq mund të them…”, tha Berisha.

“Përfundoi mbledhja e grupit. U diskutua e gjithë agjenda e nesërme e parlamentit. Qëndrimet që do mbajnë deputetët dhe z.Bardhi do t’ju informojë më me hollësi. U diskutua gjerësisht mbi drejtimin absolutisht disfunksionial në kundërshti me ligjin, me Kushtetutën të Parlamentit, shkelmimin nga ana e institucioneve të vendit të të drejtave elementare të deputetëve për t’u informuar dhe informuar zgjedhësit e tyre. Braktisjen që i bën Edi Rama Parlamentit. Për të gjitha këto grupi parlamentar, deputetët e opozitës do të japin përgjigjet e merituara“, tha Berisha.

Z. Berisha a e konsideroni mundësinë për të krijuar një grup më vete ju së bashku me deputetët e Gazment Bardhit?

Sali Berisha: Ti e sheh qiellin e kthjellët dhe e konsideron mundësinë e shiut. Ja ku është dielli tani.

Z. Berisha, z.Basha është zgjedhur nga instancat e BE si reporteri për konfiskimin e aseteve ruse. Keni një koment për këtë?

Sali Berisha: Ai është Këshilli i Europës, jo Bashkimi Europian, por eksperiencë me rusët ka ai. Kaq mund të them. Mirupafshim!