Një eksperiment social i kryer në një nga dyqanet më luksoze të Hamburgut na bën me dije fuqinë e parasë, dhe gjërat me të cilat përballen edhe ata që tregtojnë mallra luksoze.
Aktor, i veshur si sheik, shkon me tre gratë e tij (dhe 4 kamera të fshehura) në një nga dyqanet më të mëdha gjermane ku shiten mallra luksi.
Videoja e realizuar nga “Dandy Diary” ekspozon një bindje të paparë të punonjësve që shesin gjëra luksoze, edhe përballë klientit që shtiret si personi më i papërgjegjshëm i mundur.
Videoja nis me një sheik që zbret nga vetura pranë qendrës luksoze, dhe nga aty shoqërohet nga tri gra me fytyrën mbuluar, ku për njërën thotë se po i festojnë ditëlindjen e 15-të.
I gjithë rrengu i konstruktuar flet për një servilizëm përballë parave, ku punonjësit i shërbejnë atij si “bletët” pavarësisht se thotë se po blen rroba për gruan e tij 15 vjeçe, gjë që në Gjermani do të ishte veprimtari kriminale.
Po jo vetëm kaq.
Ai i kërkon punonjësve që ta mbajnë në krah pasi nuk mundej të ecte. E si mund t’i thoni “jo” një bankomati me dy këmbë? Në botën e bakshishit dhe parasë, asgjë nuk është kulturalisht e papranueshme. Raportet ekonomike flasin se çdo vit, nga familjet e pasura të Emirateve harxhohen 270 miliardë dollarë vetëm në rroba luksi, shifër kjo që po rritet çdo vit me 5 %.