Ekspertët greke dhe njohësit e së drejtës detare pohojnë se vendimi i Athinës zyrtare për të shtrirë ujërat territoriale në 12 milje në detin Jon nuk prek aspak Shqipërinë.
Profesori Christos Rozakis, ish-nënkryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe botues i një sërë veprash për zonën ekskluzive ekonomike ka sqaruar për Vizion Plus se si kryhet matja mes brigjeve pa cënuar sovranitetin e vendeve fqinj.
“Zgjatja prej 12 miljeve detare në ishujt Othonios dhe Ereikousa nuk prek as bregdetin shqiptar, as zonat e shelfit kontinental apo Zonën Ekskluzive Ekonomike. Matja e zonave të shelfit kontinental/Zonave Ekskluzive Ekonomike bëhet nga bregu dhe jo nga kufijtë e ujërave territoriale. Nga momenti që përcaktohet Shelfi kontinental dhe zona ekskluzive ekonomike rezervat që gjenden në anën greke i përkasin ekskluzivisht Greqisë. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Nëse ka aksione në vijën kufitare, atëherë këshillohet që të shfrytëzojnë së bashku stoqet e zakonshme. Është një pararendës i delimitimit të bregdetit në Egje. Kjo nuk do të thotë që zgjidhja në Egje duhet të jetë identike me Jon”, tha Christos Rozakis
Ndërsa profesori Kostandinos Filis, drejtor i institutit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Athinë i pyetur nga Vizion Plus në lidhje me metodologjinë e cila do të përdoret për caktimin e vijës së mesme në ishujt Othoni dhe Barketa, thekson se tashmë kushtet janë më të pjekura për të arritur një marrëveshje të mirë.
“Çështjet teknike dhe metodologjia i mbetet ekipit negociator, por e rëndësishme është se Greqia është e disponueshme të mbyllë sa më parë këtë marrëveshje. Dua të besoj se qeveria shqiptare do të veprojnë me bazë interesin kombëtar të Shqipërisë dhe jo e ndikuar nga vende të treta të cilat nuk dëshirojnë përmbylljen e marrëveshjes dhe përpiqen me mënyra të ndryshme ta pengojnë. Gjithashtu të mbyllen edhe çështjet e tjera të cilat nuk kanë marrë ende zgjidhje si shfuqizimi i ligjit të luftës, të drejtat e minoritetit. Greqia kërkon zgjidhjen e problemeve me Shqipërinë si një paketë”, tha Filis.
Për ekspertin e të drejtës ndërkombëtare marrëveshja mes dy vendeve duhet të jetë me përfitime reciproke.
“Shqipëria nuk ka pse të frikësohet aspak për negociata me Greqinë. Kishim një marrëveshje për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike në vitin 2009 e cila u anulua nga Gjykata kushtetuese në Tiranë, për të cilën Greqia mendon se nuk ishte veprimi i duhur. Tashmë pas marrëveshjes Greqi-Itali theksoj që edhe Shqipëria dhe Italia kanë përcaktuar zonat e dytë detare në vitin 1992, në zonë mbetet tashmë vetëm një marrëveshje ajo e ujërave territorialë mes Shqipërisë dhe Greqisë”, Filis.
Profesori Kostandinos Filis e quan një gabim nga ana e Greqisë që nuk paraqiti për ratifikim marrëveshjen me Shqipërinë në parlamentin grek në vitin 2009 një marrëveshje e cila u anulua nga ana e gjykatës Kushtetuese në Tiranë.
“Për mënyrën se si u anulua dukej sikur kishte gisht të një vendi të tretë i cili kishte interes në anulimin e marrëveshjes. Nuk kemi interes asnjë nga vendet tona qoftë Shqipëria qoftë Greqia të mos arrijmë në një marrëveshje dhe duhet ti kushtojmë rëndësi perspektivës së bashkëpunimit. Nuk duhet të biem në kurthin dhe t’u shërbejmë interesave të vendeve të treta dhe jo të interesave tona kombëtare”.
Për ekspertët greke ndryshimi i Micotaqis me vendimin e dy viteve më parë të Aleksis Ciprasit ka të bëjë me faktin se tashmë Greqia po përballet me një Turqi e cila lëviz praktikisht me anije të paligjshme kundër sovranitetit te Greqisë.