Koronavirusi duket se ka ndryshuar dhe pasojat në shëndetin e njeriut nga infektimi prej tij po zbuten. Konstatimi vjen nga drejtori i institutit kërkimor mbi farmakologjinë në Romë Giuseppe Remuzzi në një intervistë për mediat italiane.
“Të sëmurët tani janë krejtësisht të ndryshëm nga ata të tre apo katër javëve më parë. Vijon të bjerë numri i të shtruarve në terapinë intensive, por edhe në sallat e zakonshme në spitale. Më parë vinin në urgjencë 80 persona me vështirësi tepër të rënduar të frymëmarrjes. Sot na vijnë 10 ose 8 dhe i dërgojmë shumë shpejt në shtëpi”.
Situata sipas tij ka ndryshuar në mënyrë drastike jo vetëm në veri të Italisë ku ishte vatra e nxehtë e koronavirusit, por në gjithë vendin.
Ai shprehet se nuk ia ka idenë se çfarë ka ndodhur me COVID-19, por sipas tij është qartë që tashmë ndodhemi përballë një sëmundje që ndryshon shumë nga ajo që shkaktoi krizë në sistemin shëndetësor italian.
Arsyet mund të jenë të ndryshme, duke nisur nga mutacioni që mund të ketë pësuar virusi e deri tek forcimi i imunitetit të popullatës. Për këtë mund të kenë ndikuar edhe ilaçet e ndryshme të përdorura për kurimin e pacientëve në spitale.
Në një studim paraprak të publikuar pak ditë më parë, një grup shkencëtarësh amerikano-britanik thanë se kishin zbuluar 200 mutacione të ndryshme të COVID-19 dhe se një variant më ngjitës po përhapej gjithnjë e më shumë.
Megjithatë, shkencëtarët e kanë të pamundur për momentin të bëjnë parashikime nëse COVID-19 do të rikthehet më i fortë apo më i dobët.