OBSH kërkon më shumë të dhëna nga Pekini, veçanërisht për rastet e mundshme të Covid-19, para dhjetorit 2019. Kreu i misionit ekspert të OBSH-së, Peter Ben Embarek, i cili ditët e fundit kreu një hetim në Wuhan për të kuptuar origjinën e koronavirusit, shprehu zhgënjimin e tij nga mungesa e qasjes në të dhëna të papërpunuara. “Ne duam më shumë të dhëna. Ne kërkuam më shumë të dhëna”, shpjegoi ai.
Për këtë problem, foli edhe mikrobiologu Dominic Dwyer, i cili, gjatë disa intervistave, shpjegoi se Kina kishte refuzuar t’i jepte disa të dhëna kryesore ekipit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. OBSH-ja në fakt kishte kërkuar të dhëna të papërpunuara të pacientëve duke filluar nga rastet e para, një praktikë e përcaktuar si “standarde”, por Pekini kishte siguruar vetëm një përmbledhje.
Megjithëse, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thotë se misioni i ekspertëve në Wuhan ka shtuar informacion të rëndësishëm, sa më shumë që kalojnë ditët, aq më shumë zërat kritikë rriten ndërkombëtarisht në lidhje me rezultatet e marra. Në Uashington, administrata dhe toni kanë ndryshuar, por qëndrimi kritik ndaj agjencisë së Kombeve të Bashkuara nuk duket se ka ndryshuar. Nga Shtëpia e Bardhë, ata kanë shprehur shqetësime në lidhje me rezultatin e hetimit të kryer në Kinë dhe kanë ngritur disa pyetje se si u përfundua, duke evokuar spektrin e ndërhyrjeve ose ndryshimeve nga qeveria kineze dhe duke përsëritur domosdoshmërinë që kjo marrëdhënie të jetë e pavarur.
Në Pekin, nga ana tjetër, administrata amerikane e Joe Biden ka këmbëngulur edhe një herë në vënien në dispozicion të të dhënave që nga ditët e para të epidemisë. Një kërkesë, që me sa duket, ndahet nga të njëjtët autorë të hulumtimit që u impenjuan për dy javë.
Javën tjetër ekipi duhet të bëjë publik një raport të parë mbi atë që është arritur në Kinë dhe ta paraqesë atë në një konferencë shtypi në Gjenevë, ku është vendosur OBSH-ja. Ndërkohë, në njoftimet e fundit online me shtypin, drejtori i OBSH-së Ghebreyesus pohoi, pasi foli me ekipin, se të gjitha hipotezat mbeten të hapura dhe kërkojnë analiza dhe studime të mëtejshme.