Policia ka ekstraduar nga Franca 52-vjeçarin shqiptar Fraklin Xhelaj, me pseudonimin “Bebi”, pasi akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Dy vite më parë, GJKKO kishte dhënë masën e sigurisë arrest me burg për të. “Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se është përfshirë në trafikun e lëndës narkotike heroinë, duke e transportuar mes Greqisë, Shqipërisë, pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut.
Nga hetimet me metoda speciale, ky shtetas dyshohet të jetë përfshirë në tri episode të ndryshme të kësaj veprimtarie kriminale, gjatë vitit 2016, dy prej të cilave kanë mbetur në tentativë.
Nga hetimet dhe veprimet e bashkërenduara midis autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre greke është bërë i mundur sekuestrimi i rreth 27 kg heroinë”, njofton policia.