Është ekstraduar nga Gjermania 29-vjeçari Ardian Pikli, i akuzuar nga GJKKO për pjesëmarrje në grup kriminal dhe posedim të armëve të zjarrit.
Pikli është ish-punonjës i RENEA-s i cili dyshohet si i përfshirë në trafikun e armëve.
Emri i tij rezulton në mesin e 50 urdhër arresteve të operacionit “Revanshi”.
“Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i akuzuar nga GjKKO, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për posedim të armëve të zjarrit. Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u ekstradua shtetasi A. P., 29 vjeç. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.