Dy persona janë ekstraduar në vendin tonë nga Greqia dhe Italia. Konkretisht, nga shteti grek është ekstraduar 43-vjeçarja Aurela Doksani, e cila është dënuar me 6.8 vite burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Aurela Doksani, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar të trafikojë drejt Greqisë nëpërmjet kufirit tokësor, lëndë narkotike të llojit heroinë. Në momentin e arrestimit më 8 gusht 2011, 43-vjeçares iu sekuestrua 129.3 gramë lëndë narkotike.
Më datë 12 gusht 2011, Gjykata ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në zbatim të vendimit të Gjykatës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 11.04.2012, ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimit ndaj të dënuarës, për të vuajtur pjesën e dënimit të mbetur pas datës 09.04.2012 në një burg të sigurisë së zakonshme. 43-vjeçarja nuk u gjetur në banesë dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar. Aurela Doksani u arrestua më 28 prill 2020 në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Në rastin e dytë, është ekstraduar nga Italia 40-vjeçari Paulin Nikaj. Ai është dënuar me 30 vite burgim më 1 Shkurt 2017 nga Gjykata e Apelit në Bolonja të Italisë, për veprat penale të vrasjes, armëmbajtje pa leje, dëmtime personale dhe falsifikim të dokumenteve. Dënimin e mbetur, 40-vjeçari do ta vuajë në Shqipëri.