Aktualitet Ekstradohet nga Holanda anëtari i “Babagjyshëve”

Ekstradohet nga Holanda anëtari i “Babagjyshëve”

Ekstradohet nga Holanda 33-vjeçari Fatmir Pjetri, i dënuar me 30 vjet burg, pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal në fushën e vjedhjes me armë, njohur si “Babagjyshët”.

Pjetri, lindur në Pukë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Përmbledhje e ngjarjeve të ndodhura: Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Disa nga episodet:

  • Në datë 28.09.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit A. B., në Kuçovë;
  • Në datë 05.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit S. R., në Laç;
  • Në datë 25.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit P. B., në Fushë-Krujë;
  • Në datë 24.12.2013 është vjedhur me armë argjendaria në një qendër tregtare në Tiranë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hague, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.