Arben Lamçja, i arrestuar në Kosovë gjatë javëve të fundit për llogari të autoriteteve shqiptare, është ekstraduar në Shqipëri.
Lamçja, i konsideruar si pjesë e grupit të Çopjave në Elbasan, ka masë sigurie arrest në burg në mungesë nga Gjykata e Posaçme.
Lamçja u arrestua në Kosovë pas operacionit të koduar “Gordonët”. Ai dyshohet se është i përfshirë në të paktën 5 vrasje të porositura nga një prej grupeve më të rrezikshme në Elbasan.
I strehuar në një apartament në Prishtinë, Lamçja, që njihet si Arben Dobrova, por që mban si identitet tjetër edhe emrin Durim Plaku.
Ai u shpall në kërkim pas operacionit “Plumbi i Artë 2” të SPAK dhe akuzohet “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar Kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Arben Lamçja akuzohet se ka siguruar kushte/mjete, me qëllim vrasjen e shtetasit N. M., për llogari të shtetasit F. G. alias F. C.. Gjithashtu, dyshohet se për llogari të të njëjtit shtetas, 50-vjeçari ka pastruar para që kanë patur burim veprimtari kriminale.