Gëzim Çela, i ashtuquajturi “Baroni i drogës” është ekstraduar këtë të enjte nga Kosova drejt vendit tonë.
Ky është momenti kur ai shoqërohet në masa të forta sigurie.
Drita jeshile për ekstradimin e Çelës u dha 10 ditë më parë nga Gjykata Themelore e Ferizajt.
Për ekstradimin e 55-vjeçarit reagoi Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili përgëzoi policitë e dy vendeve për bashkëpunimin e ngushtë që çoi në kapjen dhe ekstradimin e tij.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë disamujor që u finalizua me ekstradimin e kreut të një organizate kriminale, i cili ishte i prej shumë vitesh i kërkuar nga drejtësia. Ky bashkëpunim po intensifikohet çdo ditë me agjencitë partnere kudo, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, tha Balla.
55-vjeçari u arrestua në Dhjetor të vitit që lamë pas, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK. Ai akuzohet si organizator i një grupi kriminal që u godit në Tetor të vitit të shkuar në një operacion të koduar “Flakë në det”.
Grupi i drejtuar prej tij tentoi që të trafikojë lëndë narkotike nga brigjet shqiptare, tentativë që nuk u finalizua falë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit. Por ky proces penal nuk është i vetmi për ish-punonjësin e Forcave Speciale.
Gëzim Çela e nisi aktivitetin e tij kriminal që në vitin 1998 në Itali, vend ky ku ka dhe një dënim në mungesë prej 20 vitesh. Dhe në Shqipëri është akuzuar për shumë ngjarje dhe i dënuar në vitin 2014 në mungesë për një laborator për përpunimin e kokainës në zonën e Laçit.