Indrit Taullai, njëri prej të akuzuarve për dy vrasje të bujshme të 15 viteve më parë, të Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt, u ekstradua këtë të premte nga Kosova drejt Shqipërisë, njoftoi Policia e Shtetit. Më 5 janar, Gjykata e Prizrenit në Kosovë pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e 46-vjeçarit.
Ish-anëtari i bandës së Durrësit u arrestua në Kosovë në 6 dhjetor të vitit të kaluar, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai dyshohet nga SPAK si një nga autorët e ekzekutimeve të bujshme të ish-anëtarit të bandës së Durrësit, Klodian Saliu dhe biznesmenit Vajdin Lamaj, ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005. Përveç Taullait SPAK akuzon si të përfshirë në këto krime ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, kunatin e tij, Plaurent Dervishaj, Emiliano Shullazin, Viktor Ymerin, Indrit Rusin dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçi.
Nga gjithë të dyshuarit, vetëm Berisha vijon të jetë ilire, pasi nuk është mundur të gjendet nga policia. Ndërsa për kunatin e tij, Plarent Dervishaj, i arrestuar në Abu Dabi, të Emirateve të Bashkuara Arabe, ende nuk ka një përgjigje për SPAK në lidhje me ekstradimin e tij. Hetimi i ekzekutimeve të Saliut dhe Lamajt u rihap pas pendesës së Luftar Reçit, i cili aktualisht po vuan një dënim me burg për “vrasje”. Në tre deklarime si bashkëpunëtor i drejtësisë, Reçi rrëfeu detaje se si ishin organizuar dy ngjarjet, si edhe dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut, ku ka pranuar të ketë qenë shofer i mjetit të ekzekutorëve.