Sulmuesi ganez i Partizanit, Kaleb Ekuban, ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp në ambientet e klubit.
Ai ka folur në lidhje me sezonin që të kuqtë kanë zhvilluar deri më tani dhe vazhdimin e pjesës së mbetur që fillon nga Luftëtari, si dhe gjithashtu nuk ka lënë pa komentuar situatën e merkatos.
“Nuk e nisëm kampionatin me këmbën e mbarë, por me kalimin e javëve filluam të luanim si skuadër. Jemi përmirësuar e kemi rritur ndjeshëm ritmin dhe kemi dalë deri në diku në lojën tonë. Megjithatë kemi ende për t’u përmirësuar, dhe kjo është një periudhë në të cilën nuk duhet të ndalemi dhe të provojmë të vazhdojmë kështu.”
Për faktin që është pjesë e Partizanit
“Unë për momentin do të preferoja të luaja në Serinë A, por për të qenë i sinqertë aktualisht mund të isha pjesë e skuadrave të Serisë B. Në këtë kontekst ndihem i lumtur këtu, jam përshtatur shumë mirë në familjen Partizani dhe po argëtohem gjithnjë e më shumë.”
Për merkaton
“Unë do të jem këtu deri në përfundim të kontratës time me të kuqtë e cila skadon në qershor, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë, por për momentin jam i përqëndruar ashtu si edhe shokët e mi të skuadrës për të dhënë më të mirën në fushë. Në Itali përdorin shpesh shprehjen që futbolli është i çuditshëm. Nuk e di nëse do të jem pjesë e Partizanit edhe sezonin e ardhshëm, por nëse kjo ndodh do të isha shumë i lumtur.”
Për zëvendësuesin e tij ndaj Luftëtarit
“Mendoj se kemi lojtarë në skuadër që mund të më zëvendësojnë më së miri në sfidën ndaj Luftëtarit. Kush do të shënojë në mungesë të Ekuban? U kam thënë të gjithë sulmuesve që kemi në skuadër që do të realizojnë nga një gol me kokë.”
Sukaj?
“Ai është një bomber i vërtetë, duke parë atë që ka bërë sezonin e kaluar me Partizanin. Nëse do të luajmë të dy do të ishim edhe më kompetitivë. Goli më i rëndësishëm që kam shënuar në kampionatin shqiptar mendoj se është ai ndaj Skënderbeut, në Korçë, i dyti, sepse na dhuroi fitoren. Ka qenë një ndeshje disi e çuditshme, sepse nuk e nisëm mirë, por gjetëm forca për ta kthyer gjithçka në favorin tonë.”