Extra EKUILIBRI MASHTRUES

EKUILIBRI MASHTRUES

-E thyer kjo marrëdhënie. E mbuluar me vetëbesimin e qeltë e delikat, që mezi pret të copëtohet, – i thashë vetes pasi lexova nëpër shkronja që flisnin bindjen e një nëne që mbronte pasigurinë e fëmijës së saj në përballjen me shokët e tij.

E ngritur mbi gënjeshtrën dita e saj, ajo vet përpiqej t’i kthente kurrizin duke e ushqyer veten me bindjen se “djali im është si të tjerët”. Dhe as dita e saj nuk po e ndihmonte dot, as mendimet e saj dhe as ajo vetë që më shumë se vuajtja, i fliste përballja me të tjerët e i ulte kokën për një realitet të cilin ajo po e prekte çdo çast.

⁃Ai është si të tjerët! Unë e kam çdo ditë aty. Është me mua. Është i zgjuar, i ëmbël, aktiv, është absolut në gjithçka, përfshi dhe detyrat që shpalosen çdo ditë në librat e tij.  Ai punon me mua  me siguri e dëshirë!…

Dhe nëpër faqe fletoresh dallohet qartë puna e saj, shkrimi dhe mendimet e saj, dallohet ajo, frika për të pranuar se djali i saj nuk mundet, djali i saj nuk është rritur.

E kështu përpiqet që bashkë me ditët, të rritet edhe ekuilibri i përballjes dhe evidentimit të problemeve që djali mbart mbi vete, duke shkelur mbi të vërtetën dhe mohimin e një realiteti që dhemb, por dhemb përpjekshëm për ta mohuar.

Dita lind e mbyllet kështu, e përballur me një marrëdhënie të thyer me shoqërinë, me një ekuilibër që vetëm zë nuk ka që të kundërshtojë, se nuk mundet më të bërtasë se është mashtrues dhe i pabazë. Dhe ditët ikin kështu, me mamanë mbi detyrat e djalit, duke lënë gjurmë të shkrimit të saj e djalit që rri ashtu, i tmerruar nga të bërtiturat e mamasë së tij pse nuk është si të tjerët dhe kërkesat e vazhdueshme ndaj të tjerëve se nuk është djali i saj ai për të cilin kembanat po bien, por ata, shokët që duart e tyre të pafajshme ia zgjasin çdo mëngjes, për ta bërë detyrimisht pjesë të tyre duke i dhuruar emocionet më të bukura.

Dhe mamaja vijon të përplaset me këtë ekuilibër mashtrues, për të përcjellë marrëdhënien e saj në dukje të bukur, por në të vërtetë të mbushur me gënjeshtra të hedhura andej-këtej, ndoshta për një ëndërr të saj të kaluar, të krijuar në skaje mendimesh gjatë rinisë së hershme.

Nuk është një emër pas të gjithës, as dy, as… nuk e di,…  por janë më shumë se shumë në të gjithë këtë shoqëri, që për të mos u përballur me veten, përpiqen të luftojnë me hapin e madh të njeriut që e ndesh çdo ditë e çdo çast jashtë derës së tij/saj.

Të jesh mësues është një mundësi të kapësh atë që të tjerët nuk arrijnë që ta prekin dot! Më shumë se shpëtimtarë të një kombi, jemi prekshëm të ndjeshëm për të zgjatur dorën e për të qenë një me gjithkënd që do ta shohë dorën e zgjatur!

EDMIRA XHAFERI

Tiranë, 14 dhjetor 2021