Dy autorët që kryen ekzekutimin e 39-vjeçarit, Briken Sanaj, në zonën e Kodrës së Diellit, nuk ishin vrasës profesionistë me pagesë. Ky dyshim i ngritur nga grupi hetimor vjen pas rindërtimit të dinamikës së ekzekutimit të regjistruar mbrëmjen e së dielës.
Nga hetimet e deritanishme policia dhe prokuroria është e bindur se veç dy autorëve, për të finalizuar vrasjen janë angazhuar dhe persona të tjerë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vijon analizimi i pamjeve filmike si brenda dhe jashtë rezidencës ‘Kodra e Diellit’, por dhe në rrugën e përshkruar deri tek Qafa e Kasharit ku u dogj dhe mjeti i përdorur në krim.
Në deklarimet e dhëna personat që shoqëronin viktimën, mes tyre dhe shtetasi A.GJ që kishte marrë dhe shtëpinë me qira, kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni për ndonjë konflikt të Sanajt.
Pavarësisht deklarimeve, hetuesit mësohet se kanë ngritur dy pista, konkretisht problemeve të hasmërisë që kanë zanafillën 12 vite më parë, si dhe të ndonjë konflikti të kohëve të fundit që viktima mund të kishte./Tv Klan