Policia e Tiranës ka dhënë detaje zyrtare për ekzekutimin e Behar Sofisë, ndërsa deklaron se është një vrasje me pagesë. Në një njoftim për mediat autoritet sqarojnë se operacioni i koduar “Piramida” është finalizuar me arrestimin e 4 personave të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vrasjen e shtetasit Behar Sofisë.
Blutë e Tiranës sqarojnë se kundër të arrestuarve kanë grumbulluar prova shkencore.
Në pranga ka rënë: Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë; Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë dhe Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë organizuar vrasjen e Sofisë duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij.
Ernejt Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi. Por falë bashkëpunimit me policisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi është bërë lokalizimi dhe kapja e Shytit.
Policia ka sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike e karta sim. Tashmë pritet analiza e këtyre provave hap perspektivë për identifikimin edhe të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë krim.
Behar Sofia u ekzekutua në fund të 25 Shkurt në afërsi të një qendre tregtare buzë lumit Lana në Tiranë. Kanë qenë kamerat e sigurisë së bizneseve aty afër që kanë ndihmuar hetuesit të bien në gjurmët e autorëve të kësaj ngjarje.
Hetimet për këtë ngjarje po vijojnë dhe pista kryesore është ajo e konflikteve e së shkuarës për drogën.
Behar Sofia ka qenë i arrestuar 23 vite më parë për një sasi heroine. Ai është cilësuar si person kyç në trafikun e drogës nga Turqia drejt Shqipërisë.