Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, këtë të shtunë dhe të diel do të shkojë në Kosovë, pas atentatit që iu bë politikanit Oliver Ivanoviç mëngjesin e së martës në Mitrovicë.
Lajmi është bërë i ditur nga zyra e presidentit, shkruan Tanjug.
Vuçiç do të zhvillojë bisedime me serbët në Mitrovicën Veriore, Graçanicën si dhe fshatin Llapllasellë.
Ngjarja:
Lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e së martës (16 Janar) në veri të Mitrovicës, në hyrjen e selisë së partisë së tij “Nisma Qytetare”, një ngjarje që vjen si goditje për stabilitetin e brishtë në këtë pjesë ende të nxehtë të rajonit të Ballkanit.
Ai u qëllua me 6 plumba në orën 8.30 të mëngjesit, nga persona te paidentifikuar.
Të shtënat, thonë autoritetet, kanë ardhur nga një automjet në lëvizje, një “Opel Astra” që u gjet i djegur rreth 45 minuta më vonë, jo shumë larg vendit të krimit.