Zylfie Haklaj, në vijim të rrëfimeve të saj mbi sagën tragjike të vrasjeve të Tropojës, ka aluduar se mund të ketë një lidhje mes ekzekutimit të vëllait të saj Fatmir Haklaj, me atentatin ndaj ish-komisar Gani Malushit në 2003-in.
Zylfia tha se i ndjeri Malushi ishte i vetmi që arriti të sigurojë prova mbi ekzekutimin e Fatmirit, më të frikshmit të Haklajve, njeriut që ekzekutoi Azem Hajdarin.
“Ne kush ishin kryesorët i dimë. Ka qenë Përparim Hyka, Medi Hoxha, Xhaferr Hoxha, Haki Hoxha që janë kryesorët që kanë marrë pjesë”, tha Zylfije Haklaj në Top Story në TCH, referuar ekzekutimit të Fatmirit.
Në vendngjarje u gjetën edhe një palë dylbi identike me ato që përdornin forcat speciale. Ishte e qartë se edhe këtë herë mes grupit të komandës kishte njerëz me uniformë shtetërore. Komisari i ndjerë Gani Malushi, bëri një raport të gjatë ku kishte edhe emra konkretë të dyshuarish.
Askush nuk u kujdes të zbulonte se kush i kishte tërhequr dylbitë nga reparti i forcave speciale dhe kujt i përkisnin qimet në kapelën e gjetur. Në vendngjarje janë gjetur edhe gëzhoja të armës që kishte shtënë në 5 Janar të vitit 1998 mbi Shkëlqim Haklajn. Pra, ishte e njëjta dorë atentatorësh.
Komisar Malushi, kërkoi nga eprorët e tij në Ministrinë e Rendit të verifikonin nëse dy efektivë të forcave speciale ndodheshin në repart atë ditë apo jo. Bëhej fjalë për Përparim Hykën dhe mikun e tij Anton Gjergji, ish-truproja i Fatos Nanos.
“Gani Malushi është përpjekur të hartojë një dosje me prova dhe me ato prova ka kërkuar edhe vendndodhjen e Përparim Hykës”, thotë Zylfije Haklaj.
Malushi kishte siguruar disa informacione nga burimet e tij, por kurrë nuk pati mbështetje që provat të vlerësoheshin deri në fund. Ai kishte vërtetuar se dylbitë e gjetura në vendngjarje i përkisnin një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë. Shenjat e gishtave të personave nuk u zbuluan kurrë.
Provat që zbuloi komisar Malushi, i mori me vete në varr. Ai vetë do të ishte viktimë e një atentati në 6 gusht të vitit 2003 në Durrës. Malushi u ekzekutua me breshëri kallashnikovi së bashku me shoferin e tij. Zyrtarisht u tha se ngjarja kishte objektiv shoferin e Malushit dhe shkaku ishte gjakmarrja.
Për vrasjen e dyfishtë vuan dënimin një person i quajtur Agim Pepa. Kurrë nuk u hetua pista që lidhej me detyrën. Malushi, ishte njeriu që kishte rrëmuar si askush për masakrën e Tropojës, duke zbuluar edhe emra konkretë personash të dyshuar.
“Gani Malushi ka tentuar të më takojë po atë ditë pas vdekjes së Fatmirit dhe e kishim lënë që më vonë kur të jem më mirë të komunikoj me atë njeri dhe e kam peng që nuk arrita sadopak të jap ato mendimet e mija”, rrëfen pengun Aishe Haklaj, motra e Haklajve, transmeton TCH.