Kryesore Ekzekutimi i komisarit Cuku, Prokurori zbardh dëshminë e vrasësit

Ekzekutimi i komisarit Cuku, Prokurori zbardh dëshminë e vrasësit

Prokurori i dosjes së vrasjes së Artan Cukut ka zbardhur disa detaje të rëndësishme në lidhje me autorin e arrestuar, Mikel Shallari.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Henrik Ligori deklaroi se deri tani dihet vetëm ekzekutori, ndërsa porositësi ende jo.

Ai u shpreh se autorit i është ofruar bashkëpunim, por deri tani ai nuk ka pranuar krimin.

“Ne i kemi treguar provat, ai vazhdon që të mohojë pjesëmarrjen në krim”, është shprehur prokurori, i cili ka treguar se ka bërë dy seanca pyetjesh me Shallarin.

Ideatorin ende nuk e dimë. Mund të jetë Mikel Shallari, mund të jetë dikush tjetër. Unë kam pasur dy komunikime me të. Ai vazhdon të mohojë përfshirjen e tij në krim.

I janë treguar të gjitha provat që e ngarkojnë atë me përgjegjësi. Ai është njohur me to, i janë ofruar të gjitha lehtësitë që parashikon ligji në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë, ka një modifikim të qëndrimit.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të”, tha prokurori i Krimeve të Rënda.

Prokurori ka treguar se ka prova të pakundërshtueshme se Mikel Shallari është autor i vrasjes dhe sipas tij motivi dyshohet se është çështje personale.

Ndërkaq Mikel Shallari është me precedentë kriminalë dhe i arrestuar më parë jashtë Shqipërisë, në Zvicër.