Fatmir Haklaj në krye të komisariatit e kishte çuar thuajse në zero kriminalitetin në zonë. Grabitësit nuk guxonin të përballeshin me ndëshkimin e tij. Kjo, nuk do të zgjaste shumë. Shënjestër do të ishte pikërisht familja Haklaj. Në Bajram Curri ishin përhapur fjalët se do të ekzekutohej Shkëlqimi, vëllai i tretë.
Duke e menduar si kurth, djemtë e familjes nuk marrin asnjë masë shtesë sigurie. Shkëlqimi vijon të lëvizë i pashqetësuar në zonë. Në fillim të Janarit të vitit 1998, ai sapo merr emërimin polic në doganën e Qafë Prushit. Më 3 janar, Shkëlqimi udhëtonte me një automjet drejt vendit të tij të punës. Në fshatin Luzhë, rruga ishte bllokuar nga disa gurë të mëdhenj. Para ndodhej autobusi i linjës Kukës-Bajram Curri. Dukej që prita ishte bërë nga dora e njeriut. Në atë kohë, u mendua se ishte tentativë grabitjeje ndaj autobusit. Shkëlqimi hipën në autobus dhe u premton mbrojtje pasagjerëve.
“Një provokim që të aludonim nëse do të dyshonim. Pasagjerët të shqetësuar, vëllai u shkoi në ndihmë, u tha që sa të jem unë nuk ju ndodh gjë dhe ka udhëtuar disa kilometra me autobus duke menduar se ishte grabitje, edhe në Bajram Curr u hap llafi se do grabitej por djemtë e Haklajve e shpëtuan”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.
Shkëlqimi nuk e mendoi për asnjë moment se ajo pritë ishte për të. Autorët nuk vepruan atë ditë. Ndoshta, ata u detyruan të tërhiqen pasi autobusi pranë mjetit të Shkëlqimit ishte plot me pasagjerë. Në 5 janar, ai bënte të njëjtën rrugë, duke u kthyer nga vendi i punës drejt Kërrnajës. Në Qafën e Luzhës, në të njëjtin vend ku dy ditë më parë ishte pengesa me gurë, mjeti i Shkëlqimit sulmohet me breshëri. Një grup prej 7-8 personash, të veshur me kamuflazh ushtarak, hapin zjarr me armë të rënda automatike.
“Aty kanë qëlluar me armë të ndryshme, mund të them që ka pasur edhe mitrolozë, armë automatike, kam qenë vet në vendngjarje dhe aty sikur kishte ndodhur luftë, komplet dushku filizat ishin prerë”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.
Të shtënat e para i marrin jetën në vend 24-vjeçarit Artur Demiri, kunatit të Fatmir Haklajt. Shkëlqimi tenton të manovrojë mjetin duke i shpëtuar jetën policit Avdi Buçpapa. Ai arrin të hidhet nga makina dhe rrëshqet në shpatin në anën tjetër të rrugës. Avdiu vrapon drejt fshatit Vlad ku kërkon ndihmë.
“Shumë prej atyre personave ne i dimë, por kryesisht kanë qenë Haki Hoxha dhe Medi Hoxha. Ndër plumbat e parë një breshëri ka marrë Arturin, Shkëlqimi ka manovruar makinën, por nga plumbat është dëmtuar shumë, Shkëlqimi ka dalë në drejtim të pritës”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.
Shkëlqimi u përgjigjet me zjarr autorëve me një pistoletë që mbante me vete. Atij i bllokohet arma dhe shumë shpejt del i zbuluar dhe pa mbrojtje përballë personave të armatosur rëndë.
“Haki Hoxhën ka qenë aty afër e kur e ka parë që Shkëlqimit i është bllokuar pistoleta, ai është afruar, dhe Shkëlqimi i ka thënë, o Haki Hoxha ti ma bëre këtë, edhe nga varri do të përgjigjem. Njerëzit e Haki Hoxhës e kanë treguar se ka dalë Shkëlqimi e ka fol, i ka thirrur Hakiut, nga rrjeti i tyre e kemi mësuar çdo gjë”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.
Shkëlqimi qëllohet me një plumb në kokë nga afër për tu siguruar që të merrte fund. Pritës arriti ti shpëtojë gjallë polici Buçpapa, i cili ishte një dëshmitar i vyer. Ai, nuk foli kurrë para drejtësisë. Avdiu mori gruan dhe fëmijët dhe u largua jashtë vendit dhe prej asaj dite nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri.
Thuhet se i mbijetuari i tregoi Fatmirit për autorët e krimit, por Zylfije Haklaj deklaron se nga Avdiu nuk kanë marrë asnjë informacion pasi ai ishte i tronditur. Madje, ajo tregon se gjithçka e kanë mësuar nga njerëz të fisit Hoxha.
“Avdiu ka dalë menjëherë nga makina, ai ka pësuar shok, e ka parë vdekjen me sy, nuk ka treguar asnjë gjë. Ata njerëzit vetë kanë fol, të afërmit e tyre kanë treguar që Haki Hoxha, Medi Hoxha bashkë me njerëz të Sali Berishës kanë organizuar vrasjen e Shkëlqimit, ka pas makinë që e ka shoqëruar. Kemi prova që urdhëruesi direkt është Sali Berisha”.
Viktimat transportohen në spital me autobusin e linjës Krumë-Bajram Curri. Fatmir Haklaj, i cili ishte shef komisariati merr lajmin vetëm dy orë pas ngjarjes, kur viktimat mbërritën në spital.
“Azem Hajdari ka dërguar telegram ngushëllimi, nuk mund të them 100 % që s’ka pasur dorë, por as nuk them që ka qenë. Për Sali Berishën jam e bindur që është kryesori dhe vetëm Sali Berisha”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.
Nuk vonoi 24 orë nga vrasja e Shkëlqimit dhe Arturit, kur Tropoja u trondit sërish. Në fshatin Cërrnicë, te stallat e ish-fermës, u bëhet pritë dhe ekzekutohen Gjin Kolbuçaj, Avdyl Matoshi dhe kunati i tij Naim Dizdari. Matoshi, njihej si militant i opozitës me njohje në nivele të larta.
Opozita akuzoi kryeministrin Fatos Nano dhe Fatmir Haklajn për krimin. Partia Demokratike zhvilloi një protestë homazh me arkivolin e Matoshit në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Disa ditë më pas në qendër të Bajram Currit do të ekzekutohej edhe vëllai i Naimit, Qazim Dizdari. Ky i fundit, kishte qenë për ngushëllim në familjen Haklaj ku kishte thënë se “palët nuk u kishin asnjë borxh njëra-tjetrës”.
Fatmiri ishte informuar se një nga vrasësit e Shkëlqimit, me rroba kamuflazhi të ndotura nga balta, kishte pyetur pranë spitalit nëse personat që ranë në pritë kishin vdekur. Emri i përfolur ishte pikërisht ai i Avdyl Matoshit. Matoshi, njihej gjithashtu si njeri i afërt me Haki Hoxhën.
“Avdyl Matoshi është përmend por nuk kemi të dhëna që është ndër ekzekutorët e Shkëlqimit”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.
Ditën e ekzekutimit, Matoshit i ishte gjetur një pistoletë tip makarov me të gjithë plumbat e zbrazur. Me sa duket, ai ndjente kërcënimin që i kanosej dhe për këtë arsye lëvizte i armatosur. Ajo ngjarje, rezulton e pazbardhur sot e kësaj dite, ashtu si i gjithë zinxhiri i ngjarjeve.