Një shtetas shqiptar është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në derën e shtëpisë së tij në Reikjavik të Islandës. Sipas mediave vendase, shtetasi i vrarë është Armando beqiri. I riu shqiptar mësohet se jetonte prej disa vitesh në Islandë, ku punonte si roje sigurie.
Armando Beqiri, gjithashtu mësohet se bashkëjetonte me një shtetase islandeze, e cila ishte edhe shtatzënë. Gjithashtu, çifti shqiptaro-islandez kishte edhe një fëmijë tjetër të mitur.
Kolegët dhe miqtë e Beqirit kanë treguar se ai ishte shumë punëtor, i ndershëm, miqësor dhe i besueshëm. Sipas asaj që shkruajnë mediat, 33-vjeçari u qëllua rreth 10 herë me armë zjarri. Plumbat e kanë prekur në trup dhe kokë. Vrasja është cilësuar nga autoritetet si një “ekzekutim i pastër”.
Menjëherë pasi mbërriti në vendngjarje policia arrestoi një person. Sipas burimeve për mediat lokale, bëhet fjalë për një lituanez i cili do të qëndrojë në paraburgim deri të premten. Po ashtu, në pranga janë vënë edhe tre persona të tjerë duke e çuar numrin e të arrestuarve në 4.
“Tre persona janë arrestuar pas një operacioni të gjerë nga policia në kryeqytet, në lidhje me hetimet për vrasjen në fundjavë”, thuhej në një njoftim, por autoritetet nuk japin më shumë detaje.