Një person mbeti i vrarë mbrëmjen e kësaj të enjteje në Tiranë, në një atentat të ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes.
Viktima është Hekuran Billa. 40-vjeçari po lëvizte me makinë, kur u qëllua për vdekje në rrethana ende të paqarta.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, pranë qendrës Tregtare “Kristal Center”. Nga mënyra se si atentati është kryer, mësohet se bëhet fjalë për një ekzekutim mafioz.
Billa është qëlluar në ecje e sipër, në makinën e tij tip BMW X6 me armë me silenciator. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga banorët të cilët thonë se nuk kanë dëgjuar të shtëna me armë, por vetëm një zhurmë si të një aksidenti, pasi automjeti është përplasur edhe me dy makina të tjera që ishin të parkuara në atë zonë.
“Rreth orës 22:00, tek Komuna e Parisit në rrethana ende të paqarta është vrarë më armë zjarri shtetasi H.B., 40 vjeç, i cili po qarkullonte me mjetin e tij. Menjëherë forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën ku vijon krehjen e zonës për kapjen e autorit. Menjëherë është ngritur Grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do çojë në identifikimin e autorit”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.
Kush ishte Hekuran Billa?
Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza. Dy persona të tjerë u plagosën nga plumbat gjatë të shtënave.
Pronari i klubit Musa Rrahmani u plagos edhe u hodh nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar. Billa nuk e ka kryer dënimin, por në rrethana ende të paqarta, ai ka ardhur në Shqipëri dhe ka hapur një biznes për dhënien me qira të makinave. Bëhet fjalë për një biznes të lokalizuar të Qytet Studenti i hapur në 27 janar të këtij viti.