Ekzekutohet me armë zjarri një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shkodër dhe veriun e vendit. Viktima është Bardhok Planaj 47 vjeç, i cili ka rënë pre e një atentati. Ai njihet edhe si “kumbari” i Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Dobraçit në qytetin e Shkodrës.
Bardhok Pllanaj është ekzekutuar në makinën e tij tip “Range Rover”. Dyshohet se makina ka qenë në lëvizje e sipër në momentin që është qëlluar me breshëri ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Pas të shtënave, makina ka ecur në gjendje të lirë për disa metra duke u përplasur edhe me ambientet e jashtme të një biznesi.
Ndërkohë, nga burime policore bëhet me dije se një automjet është gjetur duke u djegur pranë vendit të ngjarjes, tek “5 Heronjtë”. Dyshohet se ky mjet mund të jetë përdorur nga atentatorët.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policore. Në ndihmë të forcave speciale kanë shkuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Në hyrje-daljet e qytetit janë ngritur pika kontrolli.
Skeda e “kumbarit” të Shkodrës: Si i shpëtoi policisë duke u fshehur në makinën e deputetit
Bardhok Planaj 47 vjeç ra pre e një atentati mbrëmjen e së dielës në zonën e Dobraçit në Shkodër. Ai ishte një person i njohur për policinë dhe njihej me nofkën “Kumbari”.
Në Dhjetor të vitit 2018, Planaj ishte arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi akuzohej për pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe ndërtim pa leje.
Ai u akuzua se kishte ndërtuar pa leje një pallat 10-katësh me paratë që dyshohet se buronin nga aktivitete kriminale. Ky objekt i ndërtuar në atë kohë kap vlerën e 2 milionë eurove.
Disa vite më parë ai ka qenë përsëri i arrestuar për trafik droge.
Kujtojmë se në vitin 2014, Bardhok Planaj trazoi politikën shqiptare pasi ishte fshehur në makinën e deputetit të asaj kohe, Mark Frroku. Për t’iu shmangur arrestimit, Planaj ndodhej brenda makinës së ish-deputetit.
Sipas raporteve policore në atë kohë, thuhej se i dyshuari mbahej nën përgjim dhe kishte lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit.
Pllanaj u hetua edhe si pjesë e grupit të të arrestuarve në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”. Ndaj tij u nxorr edhe një urdhër arresti, por më pas u shpall i pafajshëm për shkak të mungesës së provave.