Një shqiptar është vrarë në Athinë të Greqisë. “Kathimerini” shkruan se ngjarja ka ndodhur në lagjen Paleo Faliro rreth orës 21:00.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik deri më tani, ishte 60 vjeç. Ai u qëllua me të paktën 2 plumba. Pavarësisht se e dërguan në spital, ai nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve në kraharor.
Në vendin e ngjarje, hetuesit kanë gjetur dy gëzhoja të kalibrit 9 mm. Shqiptari u qëllua jashtë shtëpisë së tij.
Siç shkruan Kathimerini, dyshohet se ky rast ka lidhje me sekuestrimin e disa armëve rreth një javë më parë. Më 24 nëntor, pranë kësaj zone, u gjet një makinë e braktisur ku brenda kishte kallashnikov dhe granatë dore. Policia mundi të përfitonte gjurmën e gishtit të një personi, por mediat nuk japin detaje të tjera në lidhje me këtë ngjarje.
Sa i përket vrasjes së shqiptarit, të tjera media shkruajnë se kërkohej për përfshirje në grup kriminal, drogë, trafik të cigareve, mashtrim etj. Në lidhje me këtë ngjarje pritet të dalin të tjera detaje në vijim.