Një ngjarje e rëndë është shënuar në Lushnje në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, ku një person është ekzekutuar me armë zjarri.
Viktima është 52-vjeçari Enver Boriçi, dhe në qytet njihet si ish-anëtar i “bandës së Lushnjes”.
Ai është vëllai i Arben Boriçit, edhe ky ish-anëtar i bandës famëkeqe të këtij qyteti dhe po vuan dënimin me burg,
Sipas të njëjtave burime, i ndjeri u gjet i ekzekutuar brenda lokalit të tij në lagjen “Kadri Gjystri”. Në momentin kur Enver Boriçi u gjet i vrarë nga policia, dera e lokalit të tij nuk ka qenë e mbyllur me çelës.
Mendohet se autori i vrasjes mund të ketë hyrë brenda në lokal dhe ka qëlluar për vdekje me armë pronarin, e më pas është larguar në drejtim të paditur.
Dyshohet se ngjarja mund të jetë hakmarrje, megjithatë nuk ka ende një pistë të konfirmuar hetimi. Grupi hetimor që ka shkuar në vendngjarje është duke hetuar për të zbardhur këtë ekzekutim në mes të qytetit, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar personat e përfshirë.