Dy persona u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi pasditen e së hënës në fshatin Lalm i Vjetër të Lezhës.
Viktimat janë Kol Murrani, një emër i njohur në zonë si rapsod. Viktima tjetër është Preng Simoni. Të dy janë rreth 60 vjeç. Rapsodi Kol Murrani është banor i kësaj zonë të thellë të Lezhës.
Ngjarja ndodhi në një nga rrugët e fshatit. Motivet dhe rrethanat e krimit janë të paqarta. Ishte djali i njërit prej viktimave që ka gjetur trupat e pajetë dhe që ka njoftuar policinë. Në fillim u raportua se kishte pasur një shkëmbim zjarri mes të dyve, por më pas nga ekspertiza paraprake u konstatua se ata janë qëlluar nga persona të tjerë.
Burime nga policia lokale thanë se viktimat janë qëlluar nga afër dhe autorët janë larguar duke shfrytëzuar edhe mundësinë që në këtë zonë nuk ka lëvizje të mëdha. Të njëjta burime thanë se po hetohet për konflikte të hapura që mund të kenë pasur viktimat. Për këtë arsye policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni lidhur me ngjarjen, por asnjë nuk është ndaluar.
Rapsodi Kol Murrani ishte mjaft i njohur në zonë me këngët e tij të shumta, si dhe për aktivitetet kulturore ku ai merrte gjithmonë pjesë.