Vetëm 3 ditë pasi Barcelona e eliminoi nga Kupa e Mbretit duke e mposhtur 3-0 brenda në Bernabeu, Reali i Madridit do të presë sërish në shtëpi skuadrën blaugrana, këtë herë për kampionat.
Sot do të mësohet nëse Barça do ta vrasë përfundimisht edhe La Ligan apo gara do të rihapet. Reali i Solarit do të riniset nga ajo paraqitje e mirë e së mërkurës ku dominoi në lojë por shpërdoroi shumë përpara porte dhe pastaj skuadra e Valverdes e ndëshkoi.
Ky El Clasico i cili gjithashtu premton emocione pa fund dhe spektakël, është mundësia ideale që Los Blancos të hakmerren ndaj Barcelonës për ato dy humbje të rënda që u kanë shkaktuar në këtë sezon me shifrat 5-1 në La Liga dhe 0-3 në Kupën e Mbretit. Një fitore e Realit do ta çonte në -6 pikë diferencën mes tyre në klasifikim dhe në një farë mënyre do të mbante gjallë shpresat e skuadrës së Solarit për të shpresuar deri në fund te titulli kampion.
Në rast suksesi të Barcelonës që në këtë sfidë do të mbajë veshur fanellën e vitit 1999, si pasojë e 20 vjet bashkëpunimi me Nike, atëherë Reali do të mbyllte llogaritë me kampionatin dhe rivali i vetëm i blaugranave në garën për titull do të mbetej Atletico Madrid.