Është hedhur sot në zyrat e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, shorti për turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ku skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana ka mësuar kundërshtarin me të cilin do të matë forcat.
Kështu shorti u tregua bujar me klubin bardheblu, që në një vazo me emra si Qarabag, Maccabi Tel-Aviv, Astana e Dinamo Tbilisi, “peshkuan” gjeorgjianët, që në letër ishin rivali më i mirë i mundshëm.
Skuadra organizatore do të jetë pikërisht Dinamo e Tbilisit dhe bardhebluve do t’u duhet të udhëtojnë drejt Gjeorgjisë për të provuar kualifikimin për në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve.
Skuadra kampione e Kosovës, Drita do të përballet të martën në mbrëmje me Linfield në finalen e paraeliminatoreve të Ligës së Kampionëve dhe nëse ia del te kualifikohet, do të gjejë përballë polakët e Legias së Varshavës në turin e parë eliminator.
Për shkak të kushteve të pandemisë dhe kohës së shkurtër në dispozicion, eliminatoret nuk do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje si zakonisht, por do të vendoset gjithçka në një ndeshje të vetme, ku do të aplikohen edhe 30 minutat shtesë, apo gjuajtja e penalltive, nëse do të jetë e nevojshme.
Ndeshjet e turit të parë eliminator do të luhen më datat 18 dhe 19 gusht dhe skuadrat e kualifikuara do të avancojnë për në turin e dytë eliminator, ndërsa ato që do të eliminohen, do të luajnë në eliminatoret e Ligës së Europës.