Mbretëresha Elizabeta II iu drejtua Britanisë së Madhe dhe Komonuelthit me rastin e 75-vjetorit të Ditës së Fitores në Europë, që shënoi fundin e Luftës së Dytë Botërore në kontinent.
“Unë po ju flas sot në të njëjtën orë siç bëri babai im, saktësisht 75 vjet më parë”, tha mbretëresha.
“Sot mund të duket e vështirë që ne nuk mund ta shënojmë këtë përvjetor të veçantë ashtu siç do të dëshironim”, tha mbretëresha në fjalimin e saj të parë që nga adresimi i saj më 5 prill në mes të pandemisë të koronavirusit.
“Në vend të kësaj, ne e kujtojmë nga shtëpitë tona. Por rrugët tona nuk janë bosh: ato janë të mbushura me dashurinë dhe kujdesin që kemi për njëri-tjetrin. Dhe kur shikoj vendin tonë sot, dhe shoh se çfarë jemi të gatshëm të bëjmë për të mbrojtur dhe mbështetur njëri-tjetrin, unë them me krenari se ne jemi akoma një komb që njihet për ushtarët, marinarët dhe pilotët trima të cilët admirohen”, theksoi ajo.
Duke përjashtuar mesazhet e saj vjetore të Krishtlindjeve, fjalimi i së premtes është transmetimi i gjashtë special televiziv që mbretëresha 94-vjeçare e ka bërë në sundimin e saj 65-vjeçar, që është periudha më e gjatë e çdo monarku britanik.
Pesë të tjerët ishin gjatë Luftës së Parë të Gjirit në vitin 1991, në funeralin e Dianas, Princeshës së Uellsit, në vitin 1997 me rastin vdekjes së Nënës Mbretëreshë në vitin 2002 dhe gjatë Jubileut të saj Diamond, 60-vjetori i sundimit në vitin 2012, si dhe gjatë pandemisë së koronavirusit në vitin 2020.