Misionet me njerëz në Mars mund të bëhen realitet më shpejt nga sa e kishim menduar. Sipas Elon Musk, grupi i parë i njerëzve mund të ulet në Planetin e Kuq brenda katër viteve të ardhshme.
Musk bëri të ditur se SpaceX pritet ta nisë anijen e saj të parë kozmike “Starship” pa ekuipazh në Mars brenda dy viteve, që përkon me dritaren e ardhshme të transferimit nga Toka në Mars.
“Misionet e para do të jenë pa njerëz për të testuar uljen pa dëme në Mars”, shkroi CEO i SpaceX në një postim në platformën e tij të mediave sociale “X”.
Nëse këto ulje janë të suksesshme, kompania synon të fillojë misionet e saj të para me ekuipazh në Mars brenda katër viteve.
“Shkalla e fluturimeve do të rritet në mënyrë eksponenciale prej andej, me synimin për të ndërtuar një qytet të vetë-qëndrueshëm në rreth 20 vjet”, shtoi miliarderi.
Më herët, në prill, Musk, i cili themeloi SpaceX në vitin 2002, kishte parashikuar që anija e parë kozmike pa ekuipazh do të ulej në Mars brenda pesë viteve dhe se njerëzit do të mbërrinin brenda shtatë viteve.
Megjithatë, afati kohor tani është përgjysmuar.