Elon Musk dhuroi rreth 75 milionë dollarë në një periudhë tre mujore për grupin mbështetës të kandidatit republikan për president Donald Trump, duke u bërë kështu një nga donatorët e tij më të mëdhenj.
Amerika PAC (Komiteti i Veprimit Politik), i cili fokusohet në mobilizimin e votuesve në shtetet ku elektorati është i ndarë midis republikanëve dhe demokratëve – të ashtuquajturit shtetet e pavendosura që mund të vendosin për rezultatin e zgjedhjeve, ka shpenzuar rreth 72 milionë dollarë në periudhën korrik-shtator, sipas raporteve të dorëzuara në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, transmeton Reuters.
Kjo është më shumë se çdo PAC tjetër e fokusuar në mobilizimin e votuesve republikanë. Musk, i cili më parë deklaroi se votoi për demokratët, bëri një kthesë të fortë djathtas në këtë fushatë dhe tani mbështet hapur fushatën e Donald Trump.
Një klub ekskluziv
Në fillim të këtij muaji, u raportua se Musk kishte financuar fshehurazi një grup politik konservator për vite me radhë, shumë kohë përpara se të mbështeste publikisht Trumpin, shkruan The Guardian.
Musk u zotua në korrik të mbështesë financiarisht fushatën e Trump dhe në fillim të këtij muaji ai u shfaq me kandidatin republikan presidencial në një tubim të fushatës në Pensilvani, një shtet që shihet si një shtet kyç si për Trump ashtu edhe për kandidaten demokrate Kamala Harris në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Donacionet e Musk për America PAC e vendosën atë në një klub ekskluziv të mega-donatorëve republikanë, të udhëhequr nga manjati bankar Timothy Mellon dhe miliarderja e kazinove Miriam Adelson.