Elon Musk po kërkon t’i japë fund procesit të blerjes së Twitter-it për 44 miliardë dollarë, për shkak të shkeljeve të shumta të marrëveshjes, që ai pretendon se ka gjetur.
Njeriu më i pasur në botë tha se po bënte një hap pas për shkak se kompania nuk arriti të ofronte informacion të mjaftueshëm mbi numrin e llogarive të rreme dhe të atyre “spam”. Por Twitter thotë se do të ndërmarrë hapa ligjorë për të detyruar miliarderin që të përmbyllë blerjen.
“Bordi i Twitter është i vendosur që të përfundojë transaksionin me çmimin dhe kushtet e rëna dakord me zotin Musk”, tha përmes një postimi në Twitter kreu i kompanisë, Bret Taylor. Në marrëveshjen paraprake është përfshirë një gjobë prej 1 miliardë dollarësh në rast se një nga palët tërhiqet në mënyrë të njëanshme.
Pasi shpalli fillimisht në prill të këtij viti se do të blinte Twitter, Musk tha në maj se e kishte pezulluar përkohësisht marrëveshjen dhe po priste të dhënat e kompanisë mbi llogaritë e rreme dhe të bllokuara. Twitter pati deklaruar se këto llogari përbënin vetëm 5% të totalit, por kjo duket se nuk e ka bindur biznesmenin nga Afrika e Jugut.
Mes palëve parashikohet tanimë një betejë e gjatë ligjore, që pa nisur ende po jep efektet e para mbi kompaninë, aksionet e të cilës humbën 7% në vlerë pak orë pas deklaratës së Musk.
Miliarderi ishte zotuar se do të hiqte censurën nga Twitter për ta bërë një platformë model për fjalën e lirë. Ai shpesh ka kritikuar kompaninë për mbylljen e disa llogarive, përfshi atë të ish-Presidentit amerikan Donald Trump.