Elton Deda, një artist që është formuar dhe ka lënë gjurmë në “Festivalin e Këngës”, sigurisht që nuk mund të mos pyetej për gjithë polemikat që solli edicioni i këtij viti. Në një intervistë për “Wake up” në Top Channel, ai tregoi se çfarë nuk shkoi me festivalin, sipas mendimit të tij.
Përsa i përket tre vendeve të parë, Deda u shpreh se do të ketë gjithnjë polemika, për aq kohë sa ka një juri. Problemi sipas tij qëndroi te “efektet” e shtuara, sidomos ajo e bazës muzikore që shoqëronte orkestrën.
“Shumë playback”, tha këngëtari. “Shpëtim Saraçi dhe unë e kemi bërë live festivalin, me orkestër. Është gjëja që e ndan nga festivalet e tjera. Duartrokitje me playback. Të qeshura me playback. Këto gjëra nuk janë mirë që të ndodhin në një eveniment të tillë. Skenografia dhe audio ishte shumë mirë, sepse janë mjeshtrat italianë që punojnë dhe janë shumë të mirë”.