Emergjenca e thatësirës në Katalonjë ka detyruar qeverinë rajonale të miratojë një sërë masash drastike për të reduktuar konsumin e ujit në sektorin publik dhe privat.
Masat që mund të kenë një ndikim të rëndësishëm edhe në klubet e futbollit katalanas si Barcelona, duke i detyruar lojtarët, si pas stërvitjes, ashtu edhe pas ndeshjeve si pritës, të kthehen në shtëpi për t’u larë.
“Barcelona konsumon ujë në zona të ndryshme dhe duhet të kompensojë atë që përdor për të ujitur fushat dhe me dushet. Qoftë ‘Montjuic’ apo ‘San Joan Despí’, të gjitha këto objekte kanë detyrimin për të reduktuar konsumin e ujit. Kështu, nëse duan të vazhdojnë ujitjen e fushave duhet ta kompensojnë ujin në mënyra të tjera”, paralajmëroi David Mascort, këshilltar i qeverisë katalanase për veprimet klimatike, duke folur për “Cadena Ser”.
Në thelb, Xavi dhe stafi i tij do të duhet të vendosin nëse do të reduktojnë apo ndalojnë ujitjen e fushave stërvitore dhe të lojës për disa ditë, duke lejuar kështu lojtarët të bëjnë dush menjëherë ose të favorizojnë barin e fushave që trajneri i ka pikë të dobët dhe për këtë arsye t’i detyrojnë lojtarët të kthehen në shtëpi për të bërë dush.