Politika Emërimi i kryebashkiakes në Himarë, Fredi Beleri: U shkel Kushtetuta. Tavo nisi...

Emërimi i kryebashkiakes në Himarë, Fredi Beleri: U shkel Kushtetuta. Tavo nisi fushatën elektorale

BLERINA BALA DHE FREDI BELERI

Pak orë pas komandimit të Blerina Balas, në krye të Bashkisë së Himarës, ka reaguar nga burgu dhe Fredi Beleri, i cili është dënuar nga Gjykata e Posaçme për shitblerje votash në zgjedhjet e 14 majit.

Beleri shprehet se emërimi i Balas në krye të bashkisë është i jashtëligjshëm, ndërsa akuzon Partinë Socialiste se ka shkelur Kushtetutën. Sipas tij, kjo që po ndodh është një lëmsh juridik i krijuar dhe me ndihmën e SPAK dhe GJKKO. Në fund ai ka kërkuar sërish që të ketë mundësi të betohet si kryebashkiak i zgjedhur.

Deklarata për shtyp e Belerit:

Një lëmsh juridik i pamundur për t’u zgjidhur. Lëmsh i krijuar me kontributin e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit, të cilët nuk kanë kurajë t’i thonë JO z. Rama.

Asnjë ligj dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk e parashikon këtë që po ndodh në Bashkinë Himarë. Neni 61 i ligjit 139/2015 që trumbeton prefekti nuk zgjidh ndërprerjen e parakohshme të një mandati të mbaruar me kohë. Asnjë praktikë e mirë evropiane, të cilave z. Rama iu referua, nuk thotë se kryetari i bashkisë caktohet nga partia humbëse e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Asnjë praktikë e mirë evropiane nuk parashikon të caktohet nga prefekti si kryetar bashkie një person që nuk është zgjedhur as këshilltar bashkiak, por është emëruar nga humbësi.

Shkelët Kushtetutën dhe atë që u votua nga sovrani nuk e lejuat të betohet. Në kundërshtim me ligjin, caktoni një kryetar të ri bashkie, siç edhe Prefekti e deklaroi, dhe e interpretoni ligjin ashtu siç ju intereson. Juve nuk ju intereson ligji, por ju intereson vetëm të mos betohet, qoftë edhe për një orë të vetme, ai që u zgjodh kryetar bashkie konform Nenit 109 të Kushtetutës.

Për ju, ligji është thjesht një copë letër bakalli.

Me gjasë, letër bakalli është edhe për z. Tavo, i cili në kundërshtim me ligjin, dje u tregoi këshilltarëve si të mendonin, sot mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak për t’u siguruar që e kishin kuptuar drejt urdhrin e tij. Pa patur asnjë kompetencë, filloi sot fjalimet elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Zgjidhja e vetme është respektimi i Kushtetutës. Zgjidhja e vetme është të lejohet fituesi i zgjedhjeve të betohet. Është e vetmja gjë që mund t’i japë fund këtij kaosi ligjor dhe të ndalojë absurdin në Bashkinë Himarë, duke trajtuar banorët e kësaj bashkie në mënyrë të barabartë me çdo qytetar tjetër të kësaj Republike që ushtroi të drejtën e tij elektorale në zgjedhjet e datës 14 maj.

Dhionisios – Alfred Beleri

Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë

(sepse kryetari i bashkisë zgjidhet nga populli dhe jo nga vota e 15 njerëzve të trembur)