Enkelejda Muçaj është emëruar këtë të mërkurë nga qeveria si Avokatja e Përgjithshme e Shtetit.
Muçaj më parë ka mbajtur postin e Këshilltares Ligjore të Kryeministrit, ndërsa e ka përfaqësuar atë dhe në proceset gjyqësore që Rama ka patur me disa eksponentë të Partisë Demokratike, si Edi Paloka apo Arben Ristani, të cilët i ka paditur për shpifje.
Muçaj zëvendëson në këtë detyrë Artur Metanin, i cili në fillim të këtij viti u zgjodh nga parlamenti si Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Ndërkohë, po në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka miratuar marrëveshjen e lëvizjes së lirë, pa viza me Republikën e Guajanës, një shtet i vendosur në Amerikën Latine që kufizohet me Brazilin, Venezuelën, Surinamin dhe Guajanën Franceze.
Guajana u bashkohet listës së vendeve amerikano-latine me të cilat Shqipëria gëzon lëvizjen e lirë pa viza, mes të cilave edhe Kolumbia dhe Peruja.