Ditën e mërkurë, në tregun e këmbimit valutor në vend është vënë re një forcim i të gjitha valutave të huaja kundrejt monedhës kombëtare.
Vetëm deri dje, euro kishte zbritur në nivelin më të ulët që prej muajve të verës dhe këmbehej për 132.2 lekë.
Por sot, valuta e përbashkët europiane ka arritur të rekuperojë 0.3 pikë ndaj lekut dhe këmbehet për 132.5 lekë.
Luhatje të tilla janë të lidhura ngushtë me rritjen e konsumit në monedhën vendase, si edhe me remitancat, ose paratë që emigrantët sjellin për familjet.
Parashikimi në fundvit është që shqiptarët do të këmbejnë në lekë këto të ardhura, duke zhvlerësuar euron, dollarin, apo çdo valutë tjetër që këmbehet.
Por duket se kursi i këmbimit jo i favorshëm ka bërë që të shumtë të zgjedhin të ruajnë këto para deri në një normalizim të vlerës së euros.
Në mënyrë të ngjashme kanë reaguar edhe valutat e tjera si dollari amerikan dhe paundi britanik.
Të dyja kanë fituar nga 0.2 pikë kundrejt lekut, krahasuar me nivelin e ditës së martë.