Kryeministri Edi Rama thotë se marrëveshja për marrjen e emigrantëve nga Italia është në përputhje me të gjitha ligjet ndërkombëtare. Në një intervistë për Corriere della Sera, Rama siguron se nuk do të ketë asnjë problem për Shëngjinin.
“Jo. Mbaj mend që ne kemi mirëpritur tashmë mbi 4 mijë afganë që ikën nga egërsia e talebanëve. Tani, në fund të procesit burokratik, ata e gjejnë veten në SHBA ose Kanada. Ky është një operacion i realizueshëm dhe ne kemi treguar se jemi të aftë”, tha Rama.
Rama u pyet edhe për komentet e opozitës italiane që e quajtën këtë një Guantanamo të re.
“Më duket një koment jobujar ndaj atyre që në Guantanamon e vërtetë ishin aty dhe vuajtën. Kushdo që vjen në Shqipëri për një periudhë të kufizuar kohe do ta bëjë këtë duke jetuar në kushtet më të mira”, tha ai.
Rama se për gjithçka do të paguajë qeveria italiane dhe se Tirana nuk ka kërkuar asgjë në këmbim, madje as ndonjë favor për rrugën drejt BE.
“Asgjë. Jo vetëm se nuk kërkuam asnjë “quid pro quo”, aq më pak ekonomike, por nuk duam asnjë. Kjo nuk është një marrëveshje tregtare, por një marrëveshje vëllazërie dhe afërsie”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë shqiptare thotë se ka pasur edhe vende të tjera të BE-së që kanë kërkuar të njëjtën gjë, por janë refuzuar të gjitha. Pranon se diskutimet me Melonin nisën që gjatë pushimeve të saj në Vlorë në Gusht. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe vetë kryeministrja italiane në një intervistë për “Il Messagero” ku ajo vlerëson mënyrën e sjelljes së Tiranës.
“Dhe është domethënëse të nënvizojmë se si Tirana, pavarësisht se nuk është ende pjesë e BE-së, në fakt po sillet sikur të ishte tashmë, duke bërë zgjedhje në përputhje të përkryer me ato parime të solidaritetit dhe bashkëpunimit në bazë të familjes europiane”, tha ajo.
Meloni sqaron të gjithë skeptikët se të drejtat dhe siguria e emigrantëve të jashtëligjshëm që do të strehohen në Shqipëri garantohet nga fakti se qendrat do të menaxhohen nga Italia. Për më tepër sipas saj, kushtet garantohen edhe nga fakti se Shqipëria është vend kandidat për në BE dhe anëtare e Këshillit të Europës.