Migrimi dhe zhvendosja ndikojnë në shëndetin e refugjatëve dhe migrantëve. E drejta e shëndetit të jetë e drejtë edhe për migrantët, kërkon Zyra Zajonale për Europën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
OBSH mblodhi të dhënat për të krijuar një ide të përgjithshme mbi gjendjen e shëndetit të refugjatëve dhe migrantëve dhe sistemit të shëndetësisë në 53 vende të rajonit të Europës, ku jetojnë 920 milionë banorë. Përqindja e migrantëve të huaj është e ndryshme nga poshtë 2 përqindshit si në rastin e Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Polonisë, Rumanisë deri në 50 përqind si në rastin e Monakos, Andorës, Lihtenstajnit.
Secili nga vendet mund të jetë vend origjine, tranziti dhe destinacioni për refugjatët dhe migrantët. Aktualisht nuk ekzistojnë indikatorë ose standarte për shëndetin e migrantëve dhe refugjatëve, thotë OBSH, prandaj ajo i bën thirrje vendeve që të merren me këtë çështje.
Shëndeti i migrantëve
Sipas raportit, migrantët dhe refugjatët gëzojnë në përgjithësi shëndet të mirë, por ekzistojnë rreziqe të sëmuren kur ndodhen në tranzicion, në kampe ose në çadra me kushte të vështira sanitare, ose në vendet e pritjes për shkak të kushteve të rënda të jetesës dhe vështirësive të përshtatjes, ushqimit të papërshatshëm ose stresit në rritje. Prandaj është e rëndësishme që të mbrohen nga infeksionet bakteriale, virale dhe nga parazitët. Raporti vëren se përhapja e tuberkulozit tek migrantët dhe refugjatët është e të njëjtit nivel me vendet e pritjes. Po ashtu pjesa më e madhe e atyre që janë HIV pozitiv, e marrin infeksionin mbasi kanë mbërritur në Europë. Ndryshe nga sa presupozohet shpesh, rreziku për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse nga refugjatët dhe migrantët tek popullsia pritëse është shumë i vogël.
Çrregullimet psikike post traumatike janë tek refugjatët dhe azilkërkuesit më të përhapura se tek popullsia pritëse. Depresioni dhe ankthi janë shumë më të përhapura, të lidhura me proceset e gjata të azilit dhe kushtet e dobta socio-ekonomike si papunësia ose izolimi.
Mungesat
OBT vëren se për arsye të ndryshme që kanë të bëjnë me statusin legal të qëndrimit, barrierat gjuhësore dhe diskriminimin, migrantët dhe refugjatët hasin në vështirësi për t’u futur në sistemin e kujdesit shëndetësor. Ka vende, në të cilat strategjitë kombëtare të mbrojtjes së shëndetit nuk ofrojnë kujdes shëndetësor për refugjatët dhe migrantët.
Prandaj organizata i bën thirrje të gjitha vendeve të zbatojnë politika që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor për të gjithë, pavarësisht nga statusi i tyre legal. 12 përqind e gjithë punonjësve në Europë janë migrantë dhe kushtet e punës janë shumë të ndryshme, bëhet fjalë pra për rreth 90 milionë vetë. Punonjësit burra janë më të prekur nga aksidentet në punë se sa punonjësit vendas.
Mali i Zi më shumë migrantë
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nivelin më të lartë të migrantëve në Ballkan e ka Mali i Zi me 70.984, që përbëjnë 11,3 përqind të popullsisë, ndjekur nga Serbia me 801.903 migrantë të huaj, 9,1 përqind të popullsisë. Në Maqedoni jetojnë 130.972 migrantë ndërkombëtarë, shifër që përbën 6,3 përqind të popullsisë. Bosnjë Hercegovina është vendi me numër më të paktë migrantësh dhe refugjatësh prej 37100 që përbëjnë 1,1 përqind të popullsisë, pasuar nga Shqipëria me 52.484 migrantë ndërkombëtare, 1,8 përqind e popullsisë.
Nga Shqipëria vjen tendenca tjetër: Migracioni drejt Europës. 2841 persona nga Shqipëria kërkuan vitin e kaluar azil në Gjermani, kurse nga Kosova 1224, bën të ditur për Deutsche Wellen Zyra Federale Migracionit dhe Refugjatëve, BAMF.
Aida Cama/DW