Shpresa se skitë dhe turizmi dimëror mund të ndalonin eksodin nga Shishtaveci po zbehet me kalimin e viteve, ndërsa ish-kampionët skiatorë ankohen se mungesa e vëmendjes dhe e investimeve i ka zeruar mundësitë.
Nga Bashkim Shala – BIRN
Parku i Aventurave në Shishtavec është një investim i qeverive austriake dhe zvicerane. Foto: Bashkim Shala.
Çdo fundjavë gjatë dimrit, një numër i madh furgonësh dhe autobusësh kalojnë pikën e kalimit kufitar të Morinit në Kukës në udhëtimin drejt Kosovës. Destinacioni i këtij fluksi turistësh dimërorë janë Brezovica, Boga e Rugovës dhe Brodi i Dragashit në Kosovë, ku një pjesë e tyre udhëtojnë me qëllim që të ushtrohen në sportin e skive.
Një destinacion potencial mund të ishte edhe Shishtaveci- rreth 33 kilometra në lindje të Kukësit, por pllajat me dëborë që shërbyen në të shkuarën për garat kombëtare të skive, mbeten prej vitesh të papërdorura.
“Kam vënë re se ka zhvillim në hoteleri, shtëpi me qera, në Tetovë, Kolashin në Malin e Zi, Brezovicë, Bogë të Pejës dhe Brod të Dragashit, por në Shishtavec mungojnë investimet,” thotë Sami Haxhiu, 60-vjeç, një prej kampionëve kombëtarë të skive nga Shishtaveci.
Haxhiu, anëtar i një familjeje skiatorësh me shumë emra kampionësh, thotë se mundësitë për ta kthyer zonën në një pikë referimi për turizmin dimëror të skive janë të mëdha, por ato nuk po shfrytëzohen.
“Nuk ka investime edhe pse pistat natyrore janë të mrekullueshme. Në pistat e Shishtavecit nuk ka rrezikshmëri nga orteqet. Rrezikshmëria është zero. Historikisht në këtë pistë nuk kanë rënë ortekë,” shtoi Sami Haxhiu.
Për njohës të turizmit dhe mjedisit, pistat e skive janë elementi kyç për të pasur një ofertë të mirë të turizimit dimëror dhe Shishtaveci është ndër pak vendet në Shqipëri që mund ta ofrojë këtë mundësi.
“Shqipërisë i mungon një vend që t’i centralizojë të gjithë njerëzit për ski. Shumë i rëndësishëm është Shishtaveci në Kukës. Shishtaveci është mrekullia që kemi ne, që ka një pistë skijimi gjysmë të gatshme. Nëqoftëse ne bëjmë një qendër skijimi, do flasim ndryshe për turizmin dimëror,” thotë Alket Islami, promotor i turizmit në Shqipëri, njëherësh President i Aeronautikës Shqiptare.
Tradita e skive
Sporti i skive nuk është shumë popullor në Shqipëri, por fillimi i vitit e vendosi atë në qendër të vëmendjes për shkak se Lara Colturi, një skiatore e re italiane që garon nën flamurin e Shqipërisë, fitoi medalje ari në Kampionatin Botëror të të rinjve në Austri.
Medalja ishte e para për Shqipërinë.
Colturi është vajza e kampiones olimpike italiane, Daniela Ceccarelli, e cila është njëkohësisht drejtoresha teknike e Federatës Shqiptare të Skive. Veç saj, Federata Shqiptare e Skive ka në ekip edhe skiatorët Denni Xhepa dhe Kevin Qerimi, që po ashtu kanë pasur rezultate premtuese.
Por edhe pse e kanë vendosur emrin e Shqipërisë në hartën e sportit të skive, asnjëri prej tyre nuk stërvitet në Shqipëri, pasi vendi nuk ka një pistë skish që do të plotësonte kushtet për stërvitje.
Zhvillimet e reja në sportin e skive kanë ngjallur nostalgjinë në fshatin e Shishtavecit në verilindje të Shqipërisë. I njohur si komunë e minoritetit Goran dhe i famshëm për pataten dhe eksodin masiv të banorëve, Shishtaveci ka qenë gjithashtu shtëpi e njërit prej dy ekipeve kombëtare më të suksesshëm të skive në të shkuarën.
Banorët thonë se sporti i skive mbërriti në zonë nga ushtarët austro-hungarezë të Luftës së Parë Botërore dhe mori hov menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur u krijua ekipi “Morava”, fitues i vendit të parë në kampionatin e parë të skive që u zhvillua në Shqipëri.
Më vonë, skiatorët nga Shishtaveci garuan nën emrin e “Përparimit” të Kukësit dhe rivalizuan për vite me radhë me ekipin e Korçës, duke shkëmbyer vendet e para dhe të dyta.
“Skiatorë nga Shishtaveci kanë dalë kampionë edhe me ekipin e Partizanit dhe Dinamos si Voke Kingji e Ahmet Bala,” kujton Garip Çeliku, 85-vjeçari nga Shishtaveci që ka qenë kampion kombëtar ndër vite në sportin e skive.
Sami Haxhiu e ka ndjekur kampionatin botëror të skive nga televizori dhe është i lumtur që Shqipëria ka tashmë në gjirin e saj një kampione të botës, edhe pse me kombësi italiane.
Po skiatori veteran do donte që të shihte investime në fshatin e tij, në mënyrë që kampionët të dilnin edhe nga Shishtaveci.
Edhe Erzen Haxhiu nga Shishtaveci, skiator i njohur dhe fitues i disa çmimeve në rang vendi thotë se nëse do të plotësoheshin kushtet, kampionët mund të përgatiteshin aty.
“Edhe nga Shishtaveci do dilte një kampion bote po të kishin kushtet e Laura Colturit. Në Shishtavec edhe fëmija 3 vjeç rrëshqet me ski,” thotë Erzeni.
Emigrimi i merr me vete talentet
Shishtaveci është pjesë e “Programit të 100 Fshatrave” të qeverisë shqiptare, ndërsa zhvillimi i turizmit dimëror është shpallur prioritet prej pesë vitesh.
Megjithatë, fondet e qeverisë për turizmin në këtë zonë janë thuajse të papërfillshme dhe të pakëtat investime vijnë prej donatorëve të huaj austriakë dhe zviceranë.
Me financim të qeverisë austriake dhe zvicerane është ngritur në Shishtavec “Parku i Aventurës” dhe tre shtëpiza që do shërbejnë për akomodimin e turistëve. Megjithatë, parku nuk është vënë ende në funksion.
Bashkia e Kukësit i tha BIRN se po planifikon ta japë me qira “Parkun e Aventurës”.
“Aktualisht jemi në fazën e procedurave të regjistrimit për t’a hipotekuar si pronë të bashkisë. Kjo do i hapë rrugë shpalljes së tenderit për dhënien me qira të këtij parku”, deklaroi për “BIRN” sekretari i përgjithshëm i bashkisë Kukës, Dëfrim Korbi.
Bashkia pretendon gjithashtu se ka një projekt që do të ndihmojë sportin e skive në zonë.
Andrit Shehu, drejtor i drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit të territorit në Bashkinë Kukës thotë se është planifikuar ndërtimi i një miniteleferiku, përmes një investimi prej 35 mijë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
“…do të shërbejë për fëmijët që ushtrojnë sportin e skive,” tha Shehu.
Megjithatë, projektet nuk ngjallin shumë shpresë dhe konsiderohen të vonuara.
Skiatori veteran, Sami Haxhiu thotë se instruktorët e skive po zhduken, pasi nuk ka ambicie, ndërsa numri i të rinjve të interesuar zvogëlohet.
“Emigrimi e ka dëmtuar sportin e skive. Nuk ka të rinj. Sa të bëhen 18 vjeç ikin në emigrim. Nuk ka talente,” thotë ai me trishtim.
Në një program të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve të quajtur “Art, Zeje, Sport”, shkollës së Shishtavecit i është caktuar si specialitet lënda e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
“Shkollës së Shishtavecit i është caktuar TIK pasi për sportin e skive nuk ka instruktor,” tha Ylber Çiku, inspektor në Zyrën Arsimore në Kukës.
Trajneri që ka stërvitur fëmijët e shkollës së Shishtavecit, njëherësh mësues i Edukimit Fizik, Shuaip Beqa u nda nga jeta në gusht të vitit kaluar. Që nga ajo kohë, fëmijët e këtij fshati nuk e ushtrojnë sportin e skive me praninë e instruktorit.
Për Erzen Haxhiun, kampion kombëtar në vitin 2009, gara me kohën për të ndërtuar një të ardhme mbi turizmin apo skitë në zonë po humbet dhe njerëzit po ikin.
“Njerëzit kanë humbë besimin se ky vend do bëhet. Të gjithë largohen. Largohen të rinjtë, bie morali. Nuk kam besim se do zhvillohet më sporti i skive,” përfundoi ai.