E ftuar në emisionin Historia ime në Tv Klan, Emina Cunmulaj ka rrëfyer historinë e jetës së saj duke nisur nga fëmijëria që ka kaluar në Mal të Zi.
Ajo ka lindur në Miçigan dhe kur ishte 5 vjeçe, prindërit e saj u kthyen në Mal të Zi, në një fshat të vogël malazez buzë Liqenit të Shkodrës që quhet Nënelm.
Deri në moshën 15 vjeç ajo ka kullotur lopët dhe i ka mjelë ato sepse e gjente si arsye për të mos u martuar. Sipas saj vajzat që bënin punë shtëpie dhe dinin të gatuanin, martoheshin shumë shpejt dhe ajo merrej me punë vetëm jashtë shtëpisë, të mos dinte të pastronte dhe gatuante që të shtynte sa më shumë martesën.
Mirela Milori: Ju u vendosët të gjithë në Nënelm, sa vite qëndrove aty?
Emina Cunmulaj: Unë u largova sërish nga fshati në moshën 15 vjeç.
Mirela Milori: Si ka qenë jeta në këtë fshat?
Emina Cunmulaj: Në përgjithësi mirë, përpiqem t’ia vë fokusin gjërave pozitive. Një fëmijëri shumë e thjeshtë. Sa herë që vij vizitoj disa familje në nevojë dhe i shoh këta fëmijë që po jetojnë të njëjtën jetë që kam jetuar dhe unë. Unë kam mjelë lopët, i ka çuar në livadhe, i kam sjellë prapë lopët në shtëpi. Nuk doja të bëja punët e shtëpisë brenda sepse vajza në atë kohë martohej që 14 vjeç dhe i thoja vetes nëse nuk i bëj gjërat, nuk e bëj gatimin, pastrimin, ndoshta nuk do më martonin tepër herët. Kështu pothuajse ka kaluar fëmijëria. Nuk kemi patur shumë lodra, kemi luajtur më shumë me llaç e baltë. Janë disa gjëra që kanë ndodhur jo shumë të bukura. Gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë ka qenë një kohë më e vështirë, pastaj lufta e Kosovës ka qenë edhe më e vështirë sepse ne kemi qenë në fund të Malit të Zi, tek liqeni i Shkodrës dhe kanë kaluar shumë refugjatë në atë kohë që duart e mamit tim i kanë dhënë bukë më hëngër, rrobat tona ia kanë veshur atyre.
“Gati më fejuan në moshë 15-vjeçare me një djalë 14 vjeç”
Emina Cunmulaj, ka treguar se para se të largohej nga fshati i saj në Mal të Zi, gati sa nuk e fejuan prindërit me një djalë në moshën 14 vjeç.
Ajo pati guximin e rrallë që t’i kundërshtonte prindërit dhe u kërkoi që ajo të largohej dhe të bëhej modele jashtë vendit.
“Unë gati sa nuk u fejova në moshën 15-vjeçare sepse në atë kohë kështu martoheshin vajzat dhe nuk i pyeste kush. Thoshin ka ardh filani me të pyet për vajzën, është familje e mirë dhe hajde ta fejojmë. Unë i kam patur prindërit të kujdesshëm dhe deri diku më kanë pyetur, ndryshe nga të tjerët që nuk i pyesnin vajzat e tyre. Me babin kam pasur një marrëdhënie që isha më e lirshme të flisja disa gjëra që vajzat e tjera nuk i flisnin dot me prindërit e vetë.
Babi më pyet a ke ndonjë interes dhe i thashë bab të lutem… Isha vetëm 15 vjeç dhe aty e kuptova që jeta ime do jetë ose në një anë ose në anën tjetër. O do iki të bëj diçka për jetën time o do ngel të bëj një jetë që nuk e dëshiroja.
I thashë babit ti duhet të kesh besim tek unë, dhe babi ngeli i habitur dhe më tha ok vij unë herën e parë me ty. Erdhi babi me mua, kam ik në Gjermani. Pas asaj tha babi nuk kam vajzë unë që të lyp punë derë më derë. Mirëpo me pak vullnet me pak biseda nisën hapat e karrierës sime”, është shprehur Emina.