Katër persona janë vënë në pranga për posedim të armë dhe municioneve gjatë një operacioni të përbashkët të komisariatit nr.4 në Tiranë dhe Forcave Shqiponja.
Policia tha se u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Bledar Matoshi, 33 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; Kid Koshena, 28 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç, drejtonte automjetin ku u gjetën armët. Automjeti ishte në pronësi të shtetasit Klajdi Vrioni (Kodra).
Këta persona janë arrestuar në hyrje të fshatit Tujan, në Rrugën e Arbrit, pasi brenda automjetit tip “Range Rover” me të cilin qarkullonin u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.
“Në vijim të operacionit ‘Katrori’, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar R. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit”, sqaroi policia.